Botë

Miratohet projektligji për kontrollin e armëve në SHBA

24.06.2022 13:39

Senati amerikan miratoi një projekt-ligj për kontrollin e armëve, që përfshin më shumë kontrolle për blerësit nën moshën 21 vjeç...

Senati amerikan miratoi një projekt-ligj për kontrollin e armëve, që përfshin më shumë kontrolle për blerësit nën moshën 21 vjeç, 11 miliardë dollarë financime për shëndetin mendor dhe 2 miliardë dollarë për programet e sigurisë në shkolla.

Pesëmbëdhjetë republikanë iu bashkuan demokratëve për të miratuar masën me 65 vota pro dhe 33 kundër, një ndër legjislacionet më të rëndësishme mbi armët e zjarrit në gati tre dekada.
 
Vendimi u mor një ditë pasi Gjykata e Lartë në Amerikë shfuqizoi  ligjin e Nju Jorkut që kërkonte që banorët e shtetit të kenë një arsye të forte për të marrë licensën e mbajtjes së një arme dhe pason ngjarjet tragjike të muajit të kaluar ku u regjistruan të shtëna masive në një supermarket në Nju Jork dhe një shkollë fillore në Teksas, që la 31 persona të vdekur.
 
Projektligji do të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve përpara se Presidenti Joe Biden ta nënshkruajë. “Ky ligj do të ndihmojë në mbrojtjen e amerikanëve,” tha Biden.
 
Megjithatë, propozimet janë larg kërkesave të shumë demokratëve dhe aktivistëve që kundërshtojnë shitjen e armëve në SHBA.Shoqata Kombëtare e Armëve të Zjarrit dhe shumë republikanë kundërshtuan projektligjin, por ai mbështetet fuqishëm nga grupet e interesit që punojnë në polici, nga shoqatat që trajtojnë dhunën në familje dhe sëmundjet e shëndetit mendor. 
SHBA-ja ka shkallën më të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit. Mbi 900 njerëz janë vrarë me armë në SHBA këtë vit, duke përfshirë vrasjen dhe vetëvrasjen.