Botë
Kina dhe Rusia kritikojnë ashpër Perëndimin
24.06.2022 14:46
Kina dhe Rusia e përdorën samitin e këtij viti të BRICS-it për të kritikuar ashpër Perëndimin......

Kina dhe Rusia e përdorën samitin e këtij viti të BRICS-it për të kritikuar ashpër Perëndimin. Presidenti kinez, Xi Jinping e hapi samitin vjetor me një apel kundër sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
“Vendet e BRICS-it, duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe të punojnë për barazi dhe drejtësi në botë dhe t’u kundërvihen sanksioneve të njëanshme”, tha në fjalën e tij të hapjes në samitin virtual presidenti kinez Xi Jinping.
Presidenti rus Putin e akuzoi Perëndimin për egoizëm. Shefi i Kremlinit tha se në këtë kontekst grupit BRICS i takon një rol të veçantë dhe ai duhet të marrë drejtimin për krijimin e një “bote multipolare” në të cilën marrëdhëniet midis shteteve bazohen në të drejtën ndërkombëtare.
“Vetëm në bazë të një bashkëpunimi të ndershëm dhe reciprokisht të dobishëm mund të gjejmë një rrugëdalje nga kriza, në të cilën ka rënë ekonomia botërore për shkak të veprimeve egoiste dhe të pamenduara të disa vendeve, të cilat duke përdorur mekanizmat financiarë po i përcjellin gabimet e tyre në makroekonomi në të gjithë botën”, tha Putini.
Kina ka njoftuar se po përpiqet për ta zgjeruar formatin BRICS duke përfshirë edhe shtete të tjera, prandaj pas mbledhjes së liderëve të BRICS-it do të organizohet edhe një takim tjetër online, në të cilin janë ftuar një sërë vendesh në zhvillim.
Grupi BRICS- i emërtuar sipas shkronjave të para emrave të pesë vendeve anëtare ( Brazili,Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), takohet një herë në vit që nga viti 2009. Për shkak të masave të rrepta kundër koronës në Kinë, e cila është mikpritëse zyrtare e këtij viti, samiti po zhvillohet si video-konferencë.
Ndryshe nga vendet e grupit G7, të cilët do të takohen të dielën në Elmau të Bavarisë për samitin e këtij viti që organizohet nën kryesinë e Gjermanisë, shtetet anëtare të BRICS-it deri tani i kanë shmangur kritikat ndaj Rusisë dhe kanë dënuar vazhdimisht sanksionet e vendosura nga Perëndimi. Udhëheqësit e dy prej vendeve të BRICS-it marrin pjesë si të ftuar edhe në samitin e G7 në Elmau
