Futboll
Të hënën jepet çmimi ‘FIFA Topi i Artë 2014’
12.01.2015 11:29
Erdhi momenti i shumëpritur. Erdhi momenti vendimtar. Erdhi momenti kur do të ndahet çmimi ‘FIFA Topi i Artë 2014’...

Të hënën (sot) në Cyrih të Zvicrës do të mbahet ceremonia, ku përveç çmimit kryesor për futbollistin e vitit 2014 do të jepen edhe disa çmime tjera, si trajneri i vitit, goli më i bukur, si dhe 11-shja e vitit të kaluar.
Kapitenët e kombëtareve, trajnerët dhe gazetarët sportivë do të kenë një punë shumë të vështirë të zgjedhin se kush është më i miri.
Në garë janë Cristiano Ronaldo, Lionel Messi dhe Manuel Neuer. Shumë futbollistë, trajnerë dhe analistë kanë dhënë mendimet e tyre se kush duhet të fitojë këtë çmim, por zyrtarisht do të ndahet më 12 janar, ku portugezi Ronaldo është favoriti kryesor.
Nëse e fiton këtë çmim do të jetë hera e tretë në karrierën e tij, kurse Messi e ka fituar katër herë. Në garë për trajnerin e vitit janë: Carlo Ancelotti, Diego Simeone dhe Joachim Low.
Ronaldo, Messi dhe Neuer
Viti 2014 nuk ka mundur të jetë më i mirë për Ronaldo-n, i cili është futbollisti i parë portugez që ka fituar dy herë ‘Topin e Artë’. Shënuesi më i mirë në La Liga me 31 gola në 30 ndeshje, luajti rol të madh në triumfin e dhjetë të Real-it në Ligën e Kampionëve, duke shënuar 17 gola, rekord për këtë garë.
Ronaldo theu edhe disa rekorde tjera, duke mbetur kandidati më serioz për këtë çmim. Përkundër disa problemeve fizike, Messi kishte një vit shumë të mirë me 28 gola në La Ligë, që nuk ishte e mjaftueshme për Barcelona-n të fitojë titullin në Spanjë. Messi u dëshpërua që Barcelona arriti vetëm në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, derisa me Argjentinën shkoi deri në finale të Kupës së Botës, ku u mposhtën nga Gjermania, 1:0.
Messi u zgjodh futbollisti më i mirë i kampionatit. Manuel Neuer ka qenë numri 1 i padiskutueshëm te Gjermania dhe Bayern Munich që disa vite. Ai kishte rol të madh që gjermanët fituan titullin e katërt botëror, duke u zgjedhur edhe portieri më i mirë. Neuer gjithashtu fitoi titullin dhe Kupën me Bayern-in.
Çmimi ‘Topi i Artë’ ekziston nga viti 1956, derisa FIFA shpërbleu lojtarin më të mirë nga viti 1991. Më pas këto dy çmime u bashkuan në një dhe tani quhet ‘FIFA Topi i Artë’.
