Botë
ShBA: Nis mbyllja e klinikave të abortit pas vendimit të Gjykatës Supreme
25.06.2022 14:24
Pas vendimit të Gjykatës Supreme në SHBA për t`i dhënë fund mbrojtjes kushtetuese për abortin...

Pas vendimit të Gjykatës Supreme në SHBA për t`i dhënë fund mbrojtjes kushtetuese për abortin, klinikat e tij kanë nisur të mbyllen në disa shtete amerikane.
Shumica e tyre tashmë do të prezantojnë kufizime të reja në vazhdën e përmbysjes së vendimit historik të përpara 50 viteve për lejimin e kësaj procedure, në rastin e njohur si Roe kundër Wade.
Presidenti Joe Biden e cilësoi të gabuar lëvizjen e Gjykatës së Lartë dhe fajin për këtë situatë, e gjeti tek paraardhësi i tij. Protesta të shumta shpërthyen në pjesë të ndryshme të vendit. Në Finiks të Arizonës, policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës, pasi tubuesit nisën të godisnin dyert e dritaret e institucioneve shtetërore.
Në Los Anxheles, protestuesit kanë bllokuar për pak kohë trafikun në autostradë. Një klinikë abortit në Arkansas i mbylli dyert për pacientët, e njëra prej tre qendrave te tilla në New Orleans të Luizianës, bëri të njëjtën gjë duke e detyruar stafin të shkojë në shtëpi.
Vendimi i Gjykatës Supreme nënkupton se rreth 36 milionë gra në moshë riprodhimi do të humbin qasjen në abort nëpër shtetet e tyre, sipas një hulumtimi të kryer nga organizata për kujdes shëndetësor, Planned Parenthood, e cila ka ndihmuar për aborte.
