Botë

Mbahet samiti i G 7 –s, agresioni rus në Ukrainë, tema kryesore

27.06.2022 12:06

Tema kryesore në samitin e G7-s, që po mbahet në alpet bavareze të Gjermanisë...

Tema kryesore në samitin e G7-s,  që po mbahet në alpet bavareze të Gjermanisë, është pushtimi i Rusisë dhe ndihma për Ukrainën. 
 
Udhëheqësit e vendeve më të fuqishme premtojnë mbështetje të mëtejshme ushtarake për Kievin dhe vendosje të më shumë sanksioneve ndaj Moskës.
 
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cilësoi si akte barbare sulmet e ndodhur rishtasi në Kiev, ndërsa në takimin e zhvilluar me mikpritësin, Olaf Scholz bëri thirrje për unitet.
 
“Duhet të qëndrojmë të bashkuar në G7 dhe NATO. Putin shpresonte që ne të përçaheshim, por kjo nuk ndodhi e nuk do të ndodhë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
 
Në fjalën e tij në nisje të samitit, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaroi se vendet e G7-s ndajnë të njëjtin qëllim sa i takon vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, por njëkohësisht për t’u kujdesur për ekonomitë e tyre. Ai tha se lufta ruse kishte vënë botën në rrezik, duke prekur çmimet ushqimore, ato të karburantit dhe sigurinë.