Botë

San Antonio, 46 të vdekur në një kamion të braktisur

28.06.2022 11:10

Të paktën 46 persona, të cilët besohet se kanë qenë migrantë, janë gjetur të vdekur...

Dyzet e gjashtë persona u gjetën të vdekur në një rimorkio kamioni në San Antonio. Gjashtëmbëdhjetë të tjerë u dërguan në spital, në mesin e tyre katër fëmije.
 
Autoritetet në San Antonio thanë se bëhet fjalë për një përpjekje trafikimi të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara. Një punonjës i qytetit dëgjoi thirrjet për ndihmë në një rrugë anësore në jugperëndim të San Antonios. 
 
Oficerët që arritën në vendin e ngjarjes gjetën një trup në tokë jashtë rimorkios dhe dyert e saj pjesërisht të hapura, ata që u dërguan në spital ishin të dehidratuar dhe në rimorkio nuk kishte asnjë pikë uji. Temperaturat në San Antonio, që shtrihet rreth 250 km larg kufirit me Meksikën, janë aktualisht  39.4 gradë  Celsius.
 
 Kryebashkiaku i San Antonios, Ron Nirenberg, tha se të 46-tët që vdiqën kishin “familje dhe po përpiqeshin të gjenin një jetë më të mirë”. “Kjo nuk është asgjë më pak se një tragjedi e tmerrshme njerëzore”, tha Nirenberg.
 
Tre persona u arrestuan por është e paqartë nëse ata ishin të lidhur me trafikimin me qenie njerëzore.