Maqedoni
Incidenti në Komisionin për Çështje Europiane, opozita kërkon dorëheqjen e Ademit
28.06.2022 14:44
Opozita kërkoi dorëheqjen e deputetit Arbër Ademi pas incidentit verbal me hedhje të objekteve në komisionin parlamentar..

Opozita kërkoi dorëheqjen e deputetit Arbër Ademi pas incidentit verbal me hedhje të objekteve në komisionin parlamentar për çështje europiane, pasi Ademi ishte pamundësuar nga VMRO – DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët të miratonte rendin e ditës. Nga VMRO konsiderojnë se pushteti në mënyrë të jashtligjshme deshi të vazhdojë mandatin të më shumë gjykatësve dhe prokurorëve për tre vite edhe pse ata përmbushin kushtet për pension. Nga VMRO kërkojnë ndërhyrjen e prokurorisë publike në hetimin e rastit.
“Të paktën Arbër Ademi të kërkojë falje dhe të jep dorëheqje me çka do ta mbulonin turpin edhe të Talat Xhaferit dhe të mbarë partisë BDI, e cila krenohet se për 20 vite është në pushtet. Mendoj se po u vjen fundi, andaj sillen kështu. Por ne s’do biem preh e provokimeve.”, tha Dafina Stojanovska, deputete e VMRO – DPMNE-së.
Nga Aleanca për Shqiptarët me një varg kritikash kanë theksuar se pika e dobët e qeverisë mbetet pushteti gjyqësor duke kontrabanduar ligjin. Nga Lëvizja Besa kërkuan reagim nga kryeparlamentari për ngjarjen të cilën e cilësuan si jodemokratike.
“Një sjellje jo demokratike dhe jo e hijshme e kryetarit të komisionit. Janë situata konkrete për të cilën besoj se kryetari i kuvendit nuk duhet të fshihet pas kamerave dhe pas asaj që duket në video, por duhet të merr përgjegjësitë, ashtu siç dëshiron ai shpesh të deklarohet se është i pari i kuvendit.”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Ademi: Shpreh keqardhje, opozita më provokoi
Vetë deputeti Arbër Ademi shpreh keqardhje për ngjarjet e një dite më parë, duke thënë se nuk duhet përsëritur. Fajësoi opozitën e në veçanti deputetin Antonio Milloshovski se e ka provokuar duke i pamundësuar votimin e rendit të ditës.
“Bashkëpartiakët e tij dhanë mendimin se ai me metoda të shërbimeve sekrete dëshiron që ti fus njerëzit në burg. Se kush është Antonio Milloshovski do të duhet të kemi parasysh vetëm historiatin e tij, sikurse greva kundër arsimimit shqip, bugarofil dhe jo vetëm. Andaj s’do thellohem më shumë, ne s’duhet të biem preh e këtyre provokimeve dhe do të duhet të vazhdojmë me axhendën tonë dhe të mos defokusojmë qytetëtarët.”, tha Arbër Ademi, deputet i BDI-së.
Në një kordinim të menjëhershëm pas incidentit, kryeparlamentari Talat Xhaferi dënoi incidentin, I cili më pas morri përmasat e rrjeteve sociale dhe padi në polici të deputetit Milloshovski ndaj sekretarit shtetëror në ministrinë e kulturës Valmir Aziri.
MERALE ISMAILI
