Maqedoni

Ngërçi mes Sofjes e Shkupit, ShBA: Jemi gati të lehtësojmë kompromisin

29.06.2022 10:55

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme “të luajnë një rol konstruktiv në lehtësimin e një kompromisi”...

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme “të luajnë një rol konstruktiv në lehtësimin e një kompromisi”, mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili do t’i hapte rrugë nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim mes Brukselit dhe Shkupit, e për pasojë dhe me Shqipërinë, e cila ka mbetur peng i këtij ngërçi.
 
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se “duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën më gjerësisht, ne shpresojmë se përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku është e dobishme”. Zëdhënësi theksoi gjithashtu se “ne përshëndesim Francën për përpjekjet e saj për të sjellë një zgjidhje të suksesshme për të filluar sa më shpejt negociatat zyrtare”.
 
Franca e cila, edhe për pak ditë, mban presidencën e radhës të BE-së, ofroi një propozim kompromisi mes Sofjes dhe Shkupit. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, nënvizoi se “SHBA-të janë mbështetës të fortë të integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është pikërisht në BE.
 
Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, deklaroi zëdhënësi, duke shtuar se “ne marrim parasysh shumë deklarata të liderëve të BE-së për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE për të forcuar sigurinë e Evropës, si dhe sigurinë tonë kolektive.
 
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë hedhur themelet dhe tani është koha për t’i çuar ato përpara në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit”, theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.