Maqedoni
Ndryshimet në propozimin francez, Ramadani: Mund të shkaktojnë sërisht reagim
29.06.2022 13:05
Propozimi francez ka hapësirë për t’u korrigjuar, vlerësojnë panelistët në Argument në TVM2...

Propozimi francez ka hapësirë për t’u korrigjuar, vlerësojnë panelistët në Argument në TVM2. Megjithatë, kryetari i Këshillit Euro-Atlantik Ismet Ramadani, vlerëson se korigjimet e ndryshme të këtij propozimi më pas, do të ngjallnin mospajtim në Kuvendin bullgar, gjë që do të pamundësonte marrjen e datës për nisjen e bisedimeve, meqë politikanët kanë ende një shpresë të vogël që kjo mund të ndodhë në këtë pak kohë sa ka mbetur.
“Asnjëherë nuk duhet të themi se nuk mund të ndodhë sepse diplomacia, politika, sot komunikimi ka përparuar shumë. Në mënyrë intensive komunikohet pa takime fizie të atyre që duhet të vendosin. Edhe pse vështirësitë janë pas miratimit në parlamentin e Bullgarisë, ku ndryshimet eventuale do të shkaktonin në palën tjetër refuzime ose mosmarrëveshje”, u shpreh kryetari i Këshillit Euro-Atlantik Ismet Ramadani.
Luma: Dallimet duhet të tejkalohen sa më shpejt
Nga ana tjetër analisti Ilir Luma vlerëson se një ndarje e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nga procesi euro-integrues do të vështirësonte edhe më shumë zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë. Andaj ai shprehet se duhet të tejkalohen sa më shpejtë dallimet që ekzistojnë.
“Atëherë edhe më lehtë do ta ketë pala bullgare të shtojë shumë kërkesa që ende ata veç thirren në këtë dokument, që është dokument i nënshkruar më 1 gusht të 2017 për fqinjësi dhe miqësi, ku ka nene, pika të kësaj që do ta vështirësojnë rrugëtimin europian të Maqedonisë e Veriut. RMV do të duhet të plotësojë këto pika për të cilën kanë rënë dakord”, theksoi analisti Ilir Luma.
Panelistët gjithashtu vlerësuan nevojën pë reformim të BE-së, pasi sipas tyre mundësia për veto, mund t’i shtoj apetitet edhe të vendeve tjera që të bëjnë të njejtën.
ERSAN PAJAZITI
