Botë
Samiti transformues i NATO-s, ndryshimet më të mëdha prej luftës së ftohtë
29.06.2022 13:24
Në samitin e Madridit, Liderët e NATO-s pritet të arrijnë pajtueshmëri për një përforcim të madh të Aleancës...

Në samitin e Madridit, Liderët e NATO-s pritet të arrijnë pajtueshmëri për një përforcim të madh të Aleancës në krahun lindor, pas pushtimit rus në Ukrainë.
“Ky është rishikimi më i madh i mbrojtjes sonë kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Pres që kur liderët të bien dakord për konceptin strategjik, ata të deklarojnë qartë se Rusia përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë. Dhe sigurisht, kjo do të jetë aty, e reflektuar gjatë gjithë koncept strategjik.”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Aleanca pritet të arrijë marrëveshje për të pozicionuar më shumë pajisje afër Rusisë, përfshirë armët e rënda, të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Europën Lindore dhe numrin e forcave në gatishmëri të lartë, nga 40,000 në 300,000.
“Neni pesë është i shenjtë. Ne e mendojmë atë që e themi. Një sulm kundër njërit anëtar, është një sulm kundër të gjithëve, në çdo centimetër.”, tha Joe Biden, president i SHBA-së.
“Rusia ka shkelur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës me luftën e saj brutale të agresionit. Mesazhi është: ne do ta vazhdojmë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet.”, tha Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë.
“Putin nuk po bën një ofertë për një marrëveshje. Zelensky nuk mund të bëjë një ofertë për një marrëveshje. Ne duam të sigurohemi që t'i ofrojmë Ukrainës një lloj sigurimi për të ardhmen e saj, sa i përket furnizimit me armatim, trajnim dhe inteligjencë të nivelit të NATO-s, në mënyrë që Ukraina të mos sulmohet përsëri.”, tha Boris Johnson, kryeministër i Britanisë.
Përveç faktit që aleatët duhet të kategorizojnë Rusinë si kërcënimi më i madh për NATO-n në 10 vjetët e ardhshëm, në samit për herë të parë do të përmendet edhe Kina.
“Kina nuk është kundërshtar, por sigurisht, ne duhet të marrim parasysh pasojat për sigurinë tonë kur shohim Kinën duke investuar shumë e për një kohë të gjatë, në kapacitete të reja ushtarake moderne, raketa dhe armë bërthamore.”, tha Stoltenberg.
Përveç frymës së re, NATO-ja do të pranojë edhe anëtarë të rinj. Suedia dhe Finlanda vendosën të braktisin neutralitetin, të martën edhe Turqia hoqi veton duke i dhënë fund kështu dramës disajavore që testoi unitetin e aleatëve.
“Vështirë se mund të gjesh ndonjë tjetër proces për anëtarësim me kaq pak javë midis aplikimit që ndodhi në mes të majit dhe ftesës që do të ndodhë tani.”, u shpreh Stoltenberg.
Vendet partnere të NATO-s në rajonin e Indo-Paqësorit Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja Jugore, marrin pjesë në samit, një shenjë se lufta në Ukrainë ka marrë gjithë vëmendjen e Aleancës.
SANIJE DURAKU
