Maqedoni
Evidentimi i pacientëve në formë elektronike
12.01.2015 14:52
Lamtumirë grumbullimit të kartonëve të mëdha shëndetësorë, recetave dhe udhëzimeve...

Të gjithë mjekët prej 2 janarit filluan të realizojnë projektin e ri për evidentimin elektronik të pacientëve.
Kjo do të thotë se tani e tutje mjekët amë, specialistët dhe infermierët kanë për detyrë t’i evidentojnë pacientet në mënyrë elektronike, t’i shkruajnë të dhënat e tyre në kompjuter dhe të japin udhëzime dhe receta në mënyrë elektronike.
Projekti në fjalë, veç më ka nisur të realizohet në disa ordinanca të mjekëve. Ata në të shumtën e rasteve sot i takuam duke e instaluar sistemin e ri të evidentimit. Kjo, sipas mjekëve, do të sigurojë të formohet një pasqyrë e kompletuar e pacientëve dhe të shkurtohet pritja e pacientëve nëpër ordinanca.
“Vitin e kaluar kur kemi bërë provat e këtij sistemi na vinte pak më rëndë, sepse duhej në dy vende të evidentohen të dhënat e pacientëve, edhe te infermierja edhe te mjeku amë, mirëpo prej fillimit të këtij viti kemi lehtësim në këtë drejtim, nga ana administrative nuk kemi shumë shpenzime në letra dhe me shkruajtje me dorë, por vetëm në bazë elektronike. Me instalimin e këtij sistemi edhe pritjet e pacientëve janë më të shkurta. Për shembull, një mbushje e recetave zgjat vetëm 7 minuta, ndërsa për kontroll të pacientit, matje të tensionit dhe shumë gjëra të tjera që nevojitet shkojnë maksimum 15 minuta”- deklaroi mjekja, Sefian Ferati Bellçishta.
Sistemi për evidentim elektronik mundëson paragrafe të veçanta për evidentimin e kontrollit të parë, të dytë, paragraf të udhëzimeve dhe të terapisë së pacientëve.
Pas përfundimit të orarit të punës, mjekët duhet të bëjnë përmbledhje të të dhënave të të gjithë pacientëve dhe t’i dërgojnë ato në bazën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Të anketuarit e TVM-2 mirëpresin aplikimin e sistemit elektronik, pasi shprehen të lodhur nga dokumentet e shumta të cilat është dashur t’i bartin me vete në çdo kohë.
“Është një gjë e mirë kjo, mirëpo gjithçka varet prej praktikës së mjekëve. Besoj se kjo risi do të shkurtojë dukshëm procedurat e stërzgjatura, të cilat na kanë ardhur mbi kokë”- u shpreh një qytetar.
“Unë e vlerësoj shumë të mirë, sepse është më mirë të mos vrapohet kot për dokumente”- tha një qytetar.
“Ditari elektronik është shumë i mirë, sepse deri më tani na u janë grumbulluar shumë letra dhe normal se s’ka efekt”- theksoi një qytetar.
“Po, sinqerisht më pengojnë këto letrat e panevojshme që i marrim, sepse shpeshherë na ndodhë që t’i humbim udhëzimet apo recetat”- potencoi një qytetar.
Të gjitha shpenzimet për instalim të këtij sistemi kryhen nga vetë mjekët.
Programi për evidentim elektronik kushton 5 mijë e 900 denarë për kompjuterin e mjekut, ndërsa 2 mijë e 500 denarë kompjuteri i infermieres.
Mirëmbajtja e të njëjtëve bëhet falas nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
REXHEP QAMILI
