Botë

Samiti transformues i NATO-s, ndryshimet më të mëdha që prej luftës së ftohtë

29.06.2022 16:48

Në samitin e Madridit, Liderët e NATO-s arritën pajtueshmëri për një përforcim të madh të Aleancës në krahun lindor...

Në samitin e Madridit, Liderët e NATO-s arritën pajtueshmëri për një përforcim të madh të Aleancës në krahun lindor, pas pushtimit rus në Ukrainë.  Ky është rishikimi më i madh i mbrojtjes sonë kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë, thotë kreu i Aleancës Stoltenberg.
 
“Lufta e Presidentit Putin kundër Ukrainës ka shkatërruar paqen në Europë dhe ka krijuar krizën më të madhe të sigurisë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. NATO është përgjigjur me forcë dhe unitet. Presidenti Zelensky e bëri të qartë se Ukraina mbështetet në mbështetjen tonë të vazhdueshme dhe mesazhi ynë për të ishte po aq i qartë. Ukraina mund të llogarisë tek ne për aq kohë sa duhet. Ne do të forcojmë mbrojtjen tonë dhe grupet e betejës në pjesën lindore të Aleancës, do të transformojmë forcën e reagimit të NATO-s dhe do të rrisim numrin e forcave të gatishmërisë së lartë në mbi 300,000.”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Përveç faktit që Aleatët kategorizuan Rusinë si kërcënimi më i madh për NATO-n, në samit për herë të parë u përmend edhe Kina.
 
“Rusia përbën kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë. Në konceptin aktual theksojmë se Rusia është një partner strategjik. Në konceptin aktual, ne nuk e përmendim Kinën me një fjalë të vetme,  në këtë Koncept qëndron se politikat shtrënguese të Kinës sfidojnë interesat, sigurinë dhe vlerat tona.”, tha Stoltenberg.
 
Zelensky:  Rusia do të diktojë rendin e ardhshëm botëror
 
Paraprakisht përmes një video paraqitjeje presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se ambiciet e Putinit shkojnë përtej vendit të tij. 
 
“Kjo që po bën Rusia nuk është një luftë vetëm kundër Ukrainës. Është një luftë për të drejtën për të diktuar kushtet në Europë, për atë se si do të jetë rendi i ardhshëm botëror. Kjo është arsyeja pse është absolutisht e nevojshme të mbështesni Ukrainën. Rusia nuk dëshiron të ndalojë në Donbas apo jug të Ukrainës. Pyetja më pas do të ishte se kush mund të jetë shënjestra e radhës e Rusisë? Moldavia, vendet e baltikut apo Polonia? Përgjigja është të gjitha këto vende.”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 
 
Biden: Aleanca është gati për çdo kërcënim
 
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë strategjinë ushtarake në Europë.
 
“Do të shtojmë bombarduesit e marinës amerikane në Spanjë nga 4 në 6. Në Poloni do të ngremë një qendër të përhershme për Batalionin e 5 të trupave të ushtarake, do të mbajmë brigadën shtesë me rotacion prej 3 mijë trupash në Rumani, do të shtojmë  dërgimin e trupava me rotacion në shtet baltike, do të stacionojmë 2 avionë të tjerë lufte f-35 në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të dërgojmë përforcime të tjera në Gjermani dhe Itali.”, tha Joe Biden, pesident i SHBA-së.
 
Vendet partnere të NATO-s në rajonin e Indo-Paqësorit  Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja Jugore, morrën pjesë në samit, një shenjë se lufta në Ukrainë ka marrë gjithë vëmendjen e Aleancës.
 
SANIJE DURAKU