Botë
Kroaci, Kolinda Grabar-Kitaroviq fiton presidencën
12.01.2015 15:14
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk do të jetë më presidentja e vetme në rajon. Kolinda Grabar-Kitaroviq është presidentja e re e Kroacisë....

Ajo është gruaja e parë në krye të Shtetit kroat, pasi fitoi në një garë të ngushtë me presidentin aktual, Ivo Josipoviq, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën dje. Dy orë pas mbylljes së kutive të votimit, Josipoviq e pranoi humbjen.
“U krye, Zonja ka fituar”- ka deklaruar shkurt Josipoviq dhe më pas personalisht i telefonoi kundërkandidates për t’ia uruar fitoren.
Analisti, Seladin Xhezairi, vlerëson fitoren e Grabar Kitaroviq si një mesazh të drejtpërdrejtë të votuesve ndaj politikave të deritanishme të presidentit dhe partisë së tij në pushtet.
Zgjedhjet presidenciale janë konsideruar si një test i rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në fund të këtij viti dhe votimi i djeshëm është edhe një mesazh për partinë e Josipoviqit, se nëse nuk i ndryshon politikat e saj aktuale, shumë shpejt mund ta shohë veten në opozitë.
“Ivo Josipoviq, presidenti aktual, i cili me qeverinë aktuale e futi vendin e tij në familjen evropiane, nuk ia doli të fitojë për të ushtruar mandatin e dytë. Zonja Kitaroviq, vjen nga opozita dhe ky është një ogur i mirë për HDZ-në e formuar nga presidenti i ndjerë, Tuxhman, se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë pikërisht kjo parti e cila, sipas parashikimeve, do ta çojë në opozitë partinë SDP që aktualisht është në pushtet. Në këto zgjedhje, për herë të parë në historinë e Pluralizmit në Kroaci jehona e zgjedhësve ishte shumë e madhe, pra duket se Kitaroviqit i shkoi për dore të marrë elektoratin e papërcaktuar dhe kjo rezultoi si e suksesshme”- deklaroi analisti, Seladin Xhezairi.
A mund të shohim së shpejti edhe në Maqedoni një kryetare shteti femër? Në këtë pyetje Xhezairi nuk duket shumë optimist, marrë parasysh se Maqedonia në këtë drejtim nuk ka problem gjinor, por problem etnik, që nuk po tejkalohet dot.
Gjithsesi, sipas tij, Kosova dhe Kroacia i dhanë një shembull të mirë rajonit, që mund të ndiqet edhe nga vendet e tjera.
“A mund të ketë Maqedonia president femër, kjo është pyetje në fakt për kryetarët e partive që kandidojnë. Por, në Maqedoni realiteti ndëretnik lë shumë për të dëshiruar. Vlerësoj se Kitaroviq një ndër takimet e para duhet ta ketë me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe në Ballkan duket se jo vetëm Kosova, por tani edhe Kroacia prin për sa i përket të paktën kandidimit të grave në postet më të larta të shtetit”- tha analisti, Seladin Xhezairi.
Grabar Kitaroviq, u zgjodh drejtpërdrejt nga populli dhe do të jetë në karrigen e parë të Kroacisë për 5 vitet e ardhshme.
46 vjeçarja, Kitaroviç, në të shkuarën ka mbajtur postin e ministres së Jashtme dhe është një nga kontributoret kryesore të anëtarësimit të Kroacisë në NATO.
FLUTURA LATIFI
