Botë
Abazoviq në Beograd: Po kthejmë një faqe të re të marrëdhënieve Mali i Zi-Serbi
29.06.2022 18:35
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë vizitës së tij në Serbi, ka thënë sot se të dy vendet po kthejnë një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe....

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë vizitës së tij në Serbi, ka thënë sot se të dy vendet po kthejnë një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe. Ai shtoi se do ta udhëheqë vendin pas interesave shtetërore dhe jo partiake, duke aluduar në kundërshtimin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe Partisë Socialdemokrate për tekstin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
“Ne jemi këtu për të zgjidhur çdo çështje që mbetet e hapur sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe unë nuk i kushtoj asnjë çështjeje më shumë rëndësi sesa e meriton. Kam dëgjuar që jam tradhtar, por nuk kam dëgjuar që neni 5 apo 10, apo 11 është gabim, se nuk respekton Kushtetutën dhe ligjin. Kjo nuk më prek mua”, ka thënë Abazoviq.
Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, shpreson që vendi i saj të rivendosë marrëdhënie më të mira me Malin e Zi.
“Kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, tha Bërnabiq. Ajo tha se ka pasur bisedime “të mira, konkrete, dhe pragmatike” me Abazoviqin, dhe se kanë identifikuar disa çështje që mund t’i zgjidhin. Si një prej tyre, ajo përmendi çështjen e transaksioneve të drejtpërdrejta, e cila, siç tha, mund të fillojë të zgjidhet menjëherë. Ajo po ashtu tha se ka ftuar Abazoviqin që Mali i Zi t’i bashkohet nismës Ballkani i Hapur.
“Një gjë e tillë do të nënkuptonte një rajon shumë më të lidhur, siguri më të madhe, një shtysë më të madhe për ekonominë dhe besueshmëri për investime të huaja.”, tha kryeministrja serbe.
