Prishtinë, protesta për lirimin e energjisë elektrike
Rrjeti i dobët i shpërndarjes së energjisë ka bërë që erërat e forta dhe reshjet që nisën mbrëmë të lënë pa rrymë shumë vendbanime të Kosovës...

Më të prekura kanë qenë fshatrat e Komunës së Istogut dhe Drenicës, por edhe kryeqendra e Kosovës, Prishtina. Krahas ndërprerjeve edhe për më tepër se 24 orë të rrymës, qytetarët janë të pakënaqur edhe me çmimin e lartë të energjisë, prandaj në organizim të Klubit Politik të Studentëve u mbajt një protestë para Kompanisë Energjetike KEDS. Madje, protestuesit kërkuan nga qytetarët që të mos paguajnë faturat e energjisë elektrike, për shkak të çmimit shumë të lartë dhe ndërprerjeve të shpeshta të energjisë.
“Kosova e ka energjinë më të shtrenjtë në rajon edhe pse është vendi më i varfër në rajon. Për sa kohë e paguajmë rrymën më të shtrenjtë në Evropë, nuk ka nevojë të paguaj aspak. Nëse KEDS ka llogari të ia ndërpresë rrymën e gjithë Kosovës, ne ta ndërpresë”- u shpreh një protestues.
Sa i përket protestës, KEDS ka dalë me një komunikatë për media, duke sqaruar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë është ajo që përcakton çmimin e energjisë elektrike e jo kjo kompani.
Ndërsa sa u përket ndërprerjeve të shpeshta të energjisë, nga KEDS thonë se me vështirësi janë duke përmirësuar gjendjen në terren, pasi rrjeti i shpërndarjes së energjisë është i dobët dhe nuk mund t’u përballojë erërave të mëdha. (Gyltene Sinani, TVM2)
