Nga mesnata ulen çmimet e derivateve të naftës
Me rënien e çmimeve të derivateve të naftës në berzat botërore, është ulur çmimi edhe në shitjen me pakicë në vend....

Ulja e radhës do të ndodhë sonte në mesnatë, pasi një vendim të tillë e ka marrë Komisioni Rregullator i Energjetikës në Maqedoni.
Benzina, dizeli dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri nga mesnata do të lirohen për 1,5 denarë për litër. Euro-super BS-95, Euro-dizeli dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të lirohen për 1,5 denarë për litër, ndërsa Euro-super BS-98 për 1 denarë. Euro-super BS-95 do të shitet për 60,50 den. në litër, Euro-dizeli për 51 den. për litër, ndërsa çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri do të kushtojë 40 den. për litër. Çmimi i shitjes me pakicë i Euro-super BS-98 do të kushtojë 62,50 den. për litër. Çmimi i mazutit M-1HS do të lirohet për 1,556 den. për kg dhe do të shitet për 22,892 den. për kg.
Por, qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë që çmimet e derivateve të naftës duhet të lirohen edhe më shumë, sepse në ditët e sotme nuk është luks të kesh veturë, por është nevojë për secilin qytetarë.
“Duhet më tepër të ulen çmimet jo 2 deri në 3 denarë, sepse rrogat nuk i kemi të larta dhe qytetarët kanë nevojë për veturë, kanë familje dhe fëmijë”- u shpreh një qytetar.
“Kjo është mirë për popullin, më pak harxhime do të kemi”- theksoi një qytetar.
“Duhet të ulen më shumë, sepse populli duhet të jetojë”- tha një qytetar.
Ulja e çmimeve të derivateve të naftës vjen pas uljes së çmimeve të naftës në berzat botërore, por edhe me atë se në 2 javët e kaluara kursi i denarit ka qenë më i lartë në krahasim me dollarin. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
