Botë
Donbasi i tëri në duart e Rusisë: Lisiçansk, qyteti i fundit në lindje, caku i rradhës i Moskës
30.06.2022 15:36
Pas marrjes së Severodonetskut nga forcat ruse, caku i rradhës i Rusisë është qyteti Lisiçansk...

Pas marrjes së Severodonetskut nga forcat ruse, caku i rradhës i Rusisë është qyteti Lisiçansk, njëherit edhe qyteti i fundit në lindje të Ukrainës që ka mbetur në duart e ushtrisë vendase. Gjatë betejave ushtarake, Rusia ka filluar të përdorë armatim të rëndë.
MPB-ja ruse publikoi pamjet që tregojnë "Sistemin më të rëndë flakëhedhës TOS-1A gjatë operacioneve luftarake.Guveranatori rajonal njoftoi se në Lisiçansk janë të bllokuar mijëra civil.
“Lisiçansku është duke u bombarduar vazhdimisht me armë të rënda nga forcat ruse, qw tentojnë të rrethojnë këtë qytet. Në qytet aktualisht janë të bllokuar 15,000 civilë. Moska synon të ketë kontrollin e gjithë Donbasit”, u shpreh guvernatori rajonal Serhiy Hayday.
Në kohën që luftimet zhvillohen në lindje të Ukrainës, Rusia njoftoi se ka tërhequr trupat ushtarake nga Ishulli i Gjarpërit duke pretenduar se tërheqja vjen për të mundësuar kalimin e grurit dhe për të mos i lënë shteg Ukrainës t’ia mveshë krizën globale ushqimore, ofensivës ruse. Por Zelenski dëshmoi të kundërtën gjatë takimit me presidenti e Indonezisë Joko Widodo, i cili vizitoi Kievin.
“Rusia po shantazhon botën me uri. Bllokoi furnizimin me ushqim nga Ukraina, e cila luajti një rol stabilizues për tregun botëror. Dhjetëra miliona tonë drithë nga Ukraina duhet të arrijnë te konsumatorët, veçanërisht tek njerëzit e Indonezisë”, theksoi president i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
NATO-ja dhe aleatët e saj, po bëjnë përpjekje për të zbutur krizën në rritje të ushqimit.
“Aleanca është duke punuar për marrjen e grurit nga Ukraina, përmes një ndërhyrje nga toka dhe deti. Moska dhe Pekini po përdorin levën ekonomike dhe shtrëngimin për destabilizim. Putini duhet të tërheqë forcat e tij nga Ukraina dhe të ndalojë së sulmuari një shtet demokratik”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Putini, nga ana tjetër thotë se është i gatshëm për dialog dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve.
“Rusia është e hapur për dialog për sigurimin e stabilitetit strategjik, ruajtjen e marrëveshjeve për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe përmirësimin e situatës në kontrollin e armëve. Ne jemi të fokusuar në bashkimin e përpjekjeve për çështje thelbësore si axhenda e klimës, luftimi i urisë, sigurimi i stabilitetit në tregjet e ushqimit dhe energjisë dhe rregulla të drejta në tregtinë dhe konkurrencën ndërkombëtare”, theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
Putini, gjithashtu tha se nuk do të lejojë të vendosin për vendin e tij ShBA-ja dhe BE-ja.
FARIJE DAUTI BAKIU
