MPPS-ja, AP-ja dhe FSSH-ja qasje në llogaritë bankare të qytetarëve
Me ndryshimet e reja në Ligjin për Funksionimin e Bankave, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Agjencia për Punësim dhe Fondi Shëndetësor do të kenë qasje të drejtpërdrejtë në llogaritë bankare të qytetarëve, të cilët do të kërkojnë të drejta të caktuara, përkatësisht ndihmë sociale, kompensim në para nga Agjencia për Punësim dhe Sigurim Shëndetësor....

Këto të dhëna deri më tani janë llogaritur për sekret bankar. Mazhoranca, e cila i ka propozuar këto ndryshime, sqaron se ndryshimet do të shmangin rrëmujën para institucioneve të lartpërmendura, ndërsa këto të fundit do ta kenë më lehtë të vendosin lidhur me kërkesat e tyre.
“Qëllimi bazë i propozim-ligjit është që t’i mundësojë MPPS-së, Agjencisë për Punësim dhe FSSH-së që nëpërmjet qasjes deri te të dhënat me të cilat janë pajisur bankat gjatë kryerjes së aktiviteteve bankare dhe aktiviteteve tjera financiare, të bëjnë kontroll të të dhënave të cilat i parashtrojnë kërkuesit, gjegjësisht personat fizik për realizimin e të drejtave të caktuara në procedurë përpara këtyre institucioneve”- deklaroi zëvendësministri i Financave, Adrian Xheladini.
“Dua të sqaroj për opinionin e gjerë se nuk cenohet autonomia e vullnetit të palëve, që në këtë rast e kemi bankën në njërën anë dhe institucionet shtetërore konkrete për të cilat po diskutojmë nga ana tjetër. D.m.th. mbetet në vullnetin e plotë nëse ata duan të nënshkruajnë memorandum për transferim apo bartjen e të dhënave ose jo”- tha deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi.
Teksti i ligjit mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit për Financa dhe Buxhet, ndërsa deputetja e BDI-së, Kalrina Azizi, nga zëvendësministri Xheladini kërkoi sqarime lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa ky i fundit tha se kjo çështje është e rregulluar sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave. (Naim Ramadani, TVM2)
