Qent endacak rrezik për tetovarët

12.01.2015 17:50

Qentë endacak mbeten rreziku kryesor për shumë qytetarë të Tetovës në shumë lagje, parqe, trotuare, rrugë kryesore ku ata vërehen kudo...

Përveç pasigurisë në qytet, ata rrezikojnë edhe banorët e disa fshatrave të Komunës së Tetovës dhe komunave tjera përreth që gravitojnë në rajonin e Pollogut. Deri më tani askush nga autoritetet nuk ka ndërmarrë asgjë për zgjidhjen e këtij problemi. Ata këtë fenomen e arsyetojnë me faktin se ende në Maqedoni nuk ekziston ndonjë ligj për likuidimin e tyre.

Frika nga qentë endacak ka filluar të ndihet tek qytetarët, madje ata për kamerën tonë theksojnë se shumica e qenve janë të infektuar dhe të pavaksinuar.

“Qentë endacak në Tetovë vazhdimisht paraqesin rrezik, nuk është hera e parë që ekzistojnë këtu, kanë qenë edhe vjet edhe parvjet, çdo kund, në çdo skaj dhe natyrisht që paraqesin rrezik për fëmijët, dikush duhet të marrë masa. Shpesh kam hasur në grupe qensh në numër nga 6-7 deri në dhjetë dhe dikush duhet të marrë masa, nuk duhet të na ndodhë rasti si ndodhi para disa ditësh në Kosovë”- u shpreh një qytetar.

“Jemi të frikësuar, na dëmtojnë sepse nuk janë të vaksinuar”- tha një qytetar.

“Jemi shumë të rrezikuar, se ka shumë qen dhe po t’u vërsulën nuk mundet t’u ikësh, duhet të eliminohen”- theksoi një qytetar.

“Me të vërtetë ndjehem i rrezikuar sepse ka këtu shumë qen, duhet t’i marrin bashkë dhe t’i largojnë, duhet të ketë një shoqatë për këta qen endacak, mua nuk më ka ndodhur, por kam parë qytetarë që janë ankuar, të cilët nuk kanë pasur ka të ikin nga këta qen”- potencoi një qytetar.

“Komuna duhet të marrë masa pa marrë parasysh se çfarë qensh janë, ka raste shumë, por faji është te qytetarët të cilët nuk ankohen tek institucionet, si në komunë, në polici e kështu me radhë”- u shpreh një qytetar.

Problemi me qentë endacak tani më disa vite mbretëron edhe nëpër fshatrat e Malësisë së Sharrit, si dhe në fshatrat malore të Komunës Tearcë, Bogovinë, Bërvenicë dhe Zhelinë. Sipas qytetarëve, ka raste kur qentë nga uria mund të sulmojnë kafshët e tyre, por ata mendojnë se në dimër mund t’i sulmojnë edhe fëmijët në rrugë. (Miftar Emini, TVM2)