Maqedoni
Propozimi francez para qeverisë, Kovaçevski: Ngërthen gjitha vërejtjet tona
01.07.2022 17:09
Kryeministri Dimitar Kovaçevski shpalosi para partnerëve të koalicionit propozimin françez...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski shpalosi para partnerëve të koalicionit propozimin françez. Kreu I qeverisë tha se nga të gjithë kryetarët e partive ka marrë mbështetjen në formimin e një qëndrimi të përbashkët shtetëror duke pasur në MËNDJE anëtarësimin në BE.
Kovaçevski tha se propozimi përfshin gjitha vërejtjet e palës maqedonase. Gjuha maqedonase në kornizën negociuese mbetet gjuhë maqedonase dhe të gjitha çështjet identitare janë të mbrojtura, deklaroi kryeministri.
“Propozimin e shohim si bazë solide për ndërtimin e qëndrimit serioz, të përgjegjshëm dhe shtetëror përballë mundësisë e cila hapet për shtetin tonë. Të gjitha pohimet e rreme, në forma të ndryshme u fundosën. Si qeveri, në bisedimet me bullgarinë mbrojtëm pozicionet shtetërore në të gjitha aspektet. Mbrojtëm interesin kombëtarë dhe identitetin maqedonas. Në propozimin françez kemi të definuar qartë pozicionet për pranimin pa mëdyshje të gjuhës maqedonase si dhe protokolli të mos jetë në kornizën negociuese. Gjithashtu është përfshirë edhe kërkesa për nisjen pa kushte të procesit negociues”, u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski ftoi gjitha partitë në konsenzus
Kryeministri tha se konsultimet do të shtrihen në presidencë dhe më pas në parlament bashkë me opozitën, qytetarët, sektorin civil dhe ekspertët. Kreu i ekzekutivit ftoi gjitha partitë përfshi edhe opozitën për konsenzus.
“Obligim i çdo politikani në shtet është që të mendojë për gjeneratat që vijnë, e jo vetëm për karrierën e tij politike dhe rezultatet zgjedhore. Konsideroj se të gjitha partitë politike do të duhet me konsenzus të luftojnë për një të ardhme më të mirë të këtij shteti. Ne nuk guxojmë që të jemi shtet I cili s’dëshiron të integrohet”, theksoi Kovaçevski.
Qeveria në kordinim me parlamentin do të dakordojnë dinamikën e kalimit të propozimit françez për votim në parlament në përputhje me kushtetutën dhe ligjet, duke përjashtuar kështu mundësinë e referendumit nga qytetarët.
MERAL ISMAILI
