Maqedoni
Rama, RMV duhet ta pranojë propozimin francez
01.07.2022 18:05
I kthyer në shqipëri pas përfundimit të samitit 3-ditor të NATO-s, kryeministri Rama u shpreh entuziast...

I kthyer në shqipëri pas përfundimit të samitit 3-ditor të NATO-s, kryeministri Rama u shpreh entuziast për çeljen e negociatave, duke thënë se Emanuel Macron meriton mirënjohje, e se Maqedonia e Veriut duhet ta pranojë propozimin francez.
“Kam qenë në kontakt me presidentin e Francës i cili për hir të vërtetës meriton një mirënjohje të posaçme e falënderim se ka ndjekur 48 orë pa pushim, pas mesnate kemi shkëmbyer mesazhe, këtë proces. Propozimi i ri që është edhe propozimi përfundimtar, duhet ta kuptojnë vëllezërit e Maqedonisë së Veriut është plotësisht e i pranueshëm. Më vjen shumë mirë që gjithë cfarë kemi bërë, sidomos në Bruksel, së bashku me kolegët nga Ballkani Perëndimor dhe posaçërisht me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe presidentin e Serbisë. Tani të shohim, mund të jetë nesër, pasnesër, pas një muaji, pas 10 vitesh, kjo për mua ka shumë pak rëndësi", tha Rama.
Për Ramën nuk ka aspak rëndësi nëse data e konferencës ndërqeveritare do të jetë nesër apo pas 10 ditesh, pasi Shqipëria e ka bërë të sajën.
Ndër të tjera kryeministri i Shqipërisë tha se në bashkëpunim me NATO-n pritet të ngrihet një bazë ushtarake në portin e ri të Durrësit që e cilëson vlerë strategjike për Shqipërinë, ndërsa theksohet se do mbahet një takim i posaçëm në Bruksel për këtë çështje.
LULJETA NDOKA
