Botë

Itali, rritje drastike e infektimeve, rihapen pavionet e Covid-it

02.07.2022 12:49

Sistemi shëndetësor në itali është në alarm pas rritjes së ndjeshme të infektimeve me Covid në 24 orët e fundit...

Italia po kalon një fazë problematike të përhapjes së pandemisë Covid 19 ndërsa sistemi shëndetësor është detyruar të rihapë edhe njëherë repartet për trajtimin e të infektuarve.
 
Me gjithë stinën e verës e temperaturat e larta, rreth 1 milionë italianë janë aktualisht pozitivë, shumica të prekur nga varianti Omicron 5.
 
Raporti i 24 orëve të fundit, i shpërndarë nga Instituti i Shëdetit Publik bën të ditur se mbi 86 mijë të infekuar më shumë e 72 viktima me një koeficient pozitiviteti 27.3% ndër rreth 300 mijë testime të kryera.
 
Në strukturat spitalore, gjatë 24 orëve të fundit, janë shtruar për kurim 238 pacientë.
 
Raporti javor i Ministrisë italiane të Shëndetësisë konfirmon mbi 538 mijë raste më shumë të infektuarish gjatë javës mbyllëse e 213 viktima më tepër kundrejt mbi 381 mijë të infektuar e 174 viktimave të një jave më parë.
 
Autoritetet shëndetësore italiane shprehen të shqetësuar se koeficienti i personave të riinfektuar ka arritur në 9.5 % e qytetarët e pavaksionuar rrezikojnë shtatë herë më shumë vdekjen se ata që kanë kryer ciklin e tre dozave vaksinë anti Covid.
 
Infeksionistët italianë deklarojnë se virusi po përshtatet ndaj kushteve klimatike pavarësisht nëse bën ftohtë apo nxehtë. Variantet e fundit kanë një efikasitet kaq të lartë infektimi sa do të vazhdoj dhe gjatë gjithë muajit korrik.
 
Në Itali në muajin shtator pritet të nis doza e katërt e vaksinës anti Covid, fillimisht ndaj personave të moshuar e me probleme shëndetësore e më pas në ndarje grup moshash.