Merkel do të marrë pjesë në tubimin e myslimanëve

12.01.2015 18:12

Qeveria gjermane ka bërë të ditur se kancelaria, Angela Merkel, dhe pjesa më e madhe e kabinetit të saj do t'i bashkohen tubimit “Gjermania e hapur dhe tolerante”...

Tubimi pritet të mbahet të martën në Berlin, ndërsa është organizuar nga udhëheqësit myslimanë në Gjermani.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Georg Streiter, ka thënë sot para gazetarëve se Merkel së bashku me ministrin e Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë do të marrin pjesë në këtë tubim, që do të mbahet tek Porta e Brandenburg në Berlin. Merkel është bashkuar me liderët e tjerë botëror gjatë të dielës në Paris, ku është mbajtur një miting i madh i solidaritetit pas vrasjes së 17 personave nga sulmet e militantëve të armatosur në Paris.

Ndërkohë, lëvizja anti-islamike gjermane “Pegida” sot ka organizuar tubime në Dresden dhe në qytete tjera të Gjermanisë, për të dënuar sulmet në Paris. Ministri i Drejtësisë në Gjermani, Heiko Maas, i ka bërë thirrje organizatës “Pegida” që t'i anulojë tubimet, duke thënë se nuk kanë të drejtë që në emër të solidaritetit me viktimat e terrorit të krijojnë urrejtje ndaj myslimanëve.