Maqedoni

Temperaturat e larta pushtojnë vendin, qytetarët: Nuk mund të shkojmë në pushime

03.07.2022 17:14

Stina e verës në vendin tonë shoqërohet gjithmonë me temperatura të larta thuajse të pa përballueshme për qytetarët....

Stina e verës në vendin tonë shoqërohet gjithmonë me temperatura të larta thuajse të pa përballueshme për qytetarët. Ndërkohë është shumë e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm mbi pasojat negative që ka në shëndetin tonë ekspozimi i pakujdesshëm ndaj këtyre temperaturave të larta. 
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 shprehen të dëshpëruar që këtë vit nuk do të mund të shkojnë për pushime verore pasi siç thonë ata kriza e bën të vetën dhe nuk mund t’ia dalin deri në fund të muajit.
 
“Po dua të shkoj në pushim vetëm me mendje, sepse mundësi nuk kam asesi, nuk kemi mundësi të sigurojmë ushqim deri në fund të muajit, e paramendo edhe në pushim të shkojmë.”, tha një qytetar.
 
“Jo për ne se ne këmi vjet shum e nuk mundemi, dalim deri në treg këtu. Të rinjt familjarët ndoshta shkojnë kan punuar ndoshta shkojnë po i kam jasht në gurbet.”, u shpreh një qytetar.
 
“Jo nuk mund të shkojmë në pushim sepse e dini edhe vet se kriza e bën të vetën, e sidomos me pensionet e ulëta që i kemi nuk ka shansa.”, tha një qytetar.
 
“Po unë sot nisem për Ulqin me shokët.”, u shpreh një qytetar.
 
Mjekët thonë se goditja nga të nxehtit është një gjendje që prezantohet si urgjencë mjekësore me rrezik për jetën dhe shkaktohet nga pamundësia e organizmit për të ekuilibruar nxehtësinë trupore. Prandaj personat që nuk mund të shkojnë nëpër pushime duhet patur kujdes të madh në këto temperature të larta  sepse më së tepërmi mund të preken të sëmurët kronikë  e sidomos ata me sëmundje të zemrës, neurologjike, të sëmurët me diabet, ata me sëmundje të mushëkrive, rekomandohet që ky grup njerëzve të mos shfaqen në ambiente të nxehta dhe të hapura. Të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të klimatizuara, të zvogëlojnë  konsumimin e ushqimeve me yndyrë dhe ëmbëlsirave, të shmangin pijet alkoolike etj.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI