Incidente në protestën kundër propozimit francez

04.07.2022 20:59

Për të tretën natë radhazi....

Për të tretën natë radhazi, para ndërtesës së qeverisë nisën protestat kundër propozimit francez për tejkalimin e mosmarrëveshjes me Bullgarinë dhe fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Nën moton “Ultimatum – jo faleminderit”, qytetarët janë mbledhur për të shprehur revoltën e tyre, ndërsa disa prej tyre janë përplasur me policinë, e cila ka ngritur kordonin para ndërtesës së qeverisë.

Pasi kanë thyer gardhin mbrojtës kanë nisur të gjuajnë me gurë dhe fishekzjarre drejt policisë.

Në protestë ka dalë edhe këngëtari Lambe Alabakovski, i cili akuzohet për djegien e hyrjes së klubit bullgar “Vanço Mihailov” në Manastir.

Alabakovski në fillim të protestës këndoi himnin kombëtar dhe më pas u luajt kënga e tij “Vendi im”.

Në skenë ai tregoi edhe një copë letër ku shkruhej “Marrëveshja e Prespës, marrëveshja bullgare, propozimi francez, “fashizmi”, të cilës Alabakovski i vuri flakën.

Në protestë u dëgjuan fishkëllima drejtuar Qeverisë dhe u dëgjuan thirrjet “Kurrë Veri, vetëm Maqedoni”.