Botë

Kurti: Procesi i Berlinit është i nevojshëm për integrimin në BE

05.07.2022 18:41

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian dhe se ka shpresa të mëdha që Procesi i Berlinit të riniset nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.
 
“Procesi i Berlinit 2.0, nëse mund ta quajmë kështu, mund të sjellë një valë që mund t’i shtyjë përpara të gjitha anijet në Ballkanin Perëndimor, kryesisht disa nisma, programe në modeluara sipas EFTA EEA, diçka të ngjashme sikurse Norvegjia, Litenshtajni, Zvicra dhe Islanda kanë me BE-në, komitete dhe këshilla të përbashkët, mekanizma të vëzhgimit, gjykatë të përbashkët me BE-në si vlerë dhe mekanizëm, jo jashtë BE-së”, tha Kurti gjatë diskutimit në panelin me temën: “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”, organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe “The Economist”, që u mbajt në Greqi.
 
Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.
 
Kancelari Scholz më herët ka bërë të ditur, se synon që ta ringjallë këtë proces, duke thirrur një takim në Berlin më vonë gjatë këtij viti.Kosova ka mirëpritur këtë paralajmërim të Gjermanisë, teksa kundërshton nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, ku aktualisht bëjnë pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.