Botë
Qytetarët në rrugë kundër marrëveshjes së Abazoviçit: ”Nuk lejojmë shtet brenda shtetit”
05.07.2022 18:52
Një grup protestuesish u mblodhën përpara selisë së ekzekutivit malazez duke shprehur...

Një grup protestuesish u mblodhën përpara selisë së ekzekutivit malazez duke shprehur qartë kundërshtinë e tyre ndaj njoftimit të kryeministrit Dritan Abazoviç se qeveria do të bëjë publike të enjten, tekstin e një marrëveshjeje me Kishën Ortodokse Serbe.
“Mesazhi ynë është i qartë. Kjo marrëveshje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, tha për VOA-n, aktivisti it ë drejtave të njeriut, Aleksandar Sasha Zekoviç.
Një shqetësim të tillë, edhe drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Tuzi, Husein Gjokaj e sheh të arsyeshëm. “Ne u themi jo atyre që negociojnë fshehurazi fatin e vendit tonë në Beograd.Edhe një herë, për të disatën herë, ne do të qëndrojmë me vendosmëri në krah të vendit tonë”, u shpreh ai.
Për Amar Borançic nga Partia Liberale, veprimet e kësaj qeverie janë të dyshimta dhe marrëveshja bazë përmes së cilës po tentohet krijimi i një shteti brenda shtetit, nuk do të lejohet.
“Sot ne mbrojmë të drejtën e çdo njeriu për të qenë i barabartë. I bëjmë thirrje qeverisë që më në fund të na ofrojë një rrugë evropiane në vend të kësaj mitomanie dhe ta çojë Malin e Zi në komunitetin e shteteve evropiane ku ka qenë gjithmonë", ishte komenti i tij.
Të tjerë tubues e akuzuan qeverinë se po kapitullon para Kishës Ortodokse serbe. Ata mbanin në duar pankarta ku thuhej: “Serbia po gllabëron Malin e Zi, do të jetë një luftë e vazhdueshme” ,“Tradhti” etj. Ata valëvisnin flamuj kombëtarë malazezë, si dhe flamuj të BE-së dhe NATO-s.
Abazoviç deklaroi disa ditë më parë se qeveria e tij do të firmoste një “marrëveshje kyçe” që do të përmirësojë marrëdhëniet delikate me Kishën Ortodokse Serbe, ndërsa në tentativë për të fashitur disi tensionet, presidenti Milo Gjukanovic e hodhi poshtë mundësinë e një ujdie të afërt mes saj dhe qeverisë në Podgoricë.
