47 policë të dëmtuar dy në gjendje të rëndë, krerët e shtetit dënojnë dhunën
Një ditë pas protestave të dhunshme, në ndërtesën e MPJ-së....

Një ditë pas protestave të dhunshme, në ndërtesën e MPJ-së shihen xhama të thyer, shkallë të mbushura me ngjyrë të kuqe dhe fasadë e dëmtuar.
Protestat e djeshme të qytetarëve të mbeshtetur nga opozita maqedonase, kundër propozimit të ri francez, eskaluan kur protestuesit arritën pranë Kuvendit.
Nga përballja mes protestuesve dhe policisë mbetën të lënduar 47 policë, dy prej të cilëve në gjendej më të rëndë.
Presidenti Stevo Penderovski, ka dënuar dhunën e protestuesve dhe ka thënë se dhuna nuk duhet të shërbej si mjet në demokraci e as si metodë në politikë .
“Dhuna nuk duhet të ketë vend në demokracitë moderne”, ka shkruar presidenti Penderovski.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi përmes rrjeteve sociale ka shpërndarë pamje nga dëmtimet e objektit të Kuvendit si pasojë e protestave të dhunshme gjatë mbrëmjes së djeshme.
“Pasojat nga sjellja e mbrëmshme е egërsuar para Kuvendit. Pranoj dhe mbështes të drejtën e secilit në protestë, të shprehjes së qëndrimit. Vazhdimisht dhe fuqishëm e dënoj huliganizmin, dhunën, nxitjen e urrejtjes sepse ato nuk janë zgjidhja”, shkruan Xhaferi.
Edhe Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dënoi sulmet ndaj policisë. “Ajo që ndodhi mbrëmë para Kuvendit nuk është fytyra e vërtetë e Republikës europiane të Maqedonisë së Veriut, një vend anëtar i NATO-s.
Protestat janë e drejtë demokratike e çdo qytetari, por dhuna nuk mund të justifikohet me asgjë. Dënoj ashpër sulmin ndaj policisë, e cila mbrëmë ishte në krye të detyrës, duke mbrojtur me profesionalizëm qytetarët dhe institucionet shtetërore. Dhuna dhe urrejtja nuk janë dhe nuk mund të jenë zgjidhje për asnjë problem. Unë do t’u them zjarrvënësve të protestave – mos manipuloni dhe abuzoni me të rinjtë për të kënaqur orekset tuaja politike. Skenari juaj mbrëmë rezultoi në mbi 40 policë të plagosur dhe dhjetëra të arrestuar. 27 prilli nuk do të ndodhë më”, thuhet në statusin e kryeministrit Kovaçevski në Facebook.
