Futboll
Ashkovski dhe Azizi përforcimet e reja të Shkëndisë
13.01.2015 11:15
Shkëndija vazhdon aktivitet e saj në merkaton e janarit, duke angazhuar futbollistë të rinj në drejtim të kompletimit të ekipit në pozitat ku ka pasur nevojë...

Në këtë drejtim, aktivizimet e fundit që i janë bashkuar skuadrës janë mbrojtësi i majtë, Stefan Ashkovski dhe portieri Enes Azizi.
22 vjeçari Ashkovski vjen si huazim për 6-të muaj nga Partizani i Beogradit, me opsion për të vazhduar bashkëpunimin edhe për gjashtë muaj tjera.
Bëhet fjalë për futbollist kualitativ, që ka luajtur rregullisht në përfaqësueset e reja të Maqedonisë (U 17, U 19 dhe U 21), ndërsa përveç Partizanit ka luajtur si huazim te Teleoptiku, Donji Srem dhe Napredak Krushevaci në Serbi, si dhe së fundmi në Stromsgosed në Norvegji.
Ai vjen në Shkëndijë për të përforcuar krahun e majtë të mbrojtjes, ku pas largimit të Urdinovit për momentin konkuron vetëm Xhelil Abdulla.
“Jam i lumtur që firmosa kontratë me Shkëndijën dhe do të jap gjithçka nga vetja për të arsyetuar besimin e kryesisë që më sollën këtu në moment të vërtetë për mua. Mendoj se është momenti i vërtetë për mua që vij në Shkëndijë. Shpresoj se do të sjell kualitet të mjaftueshëm për të qenë më lartë se sa që jemi tani”, deklaroi Stefan Ashkovski në prezantimin e tij si futbollist i ri i Shkëndijës.
Ndërkohë portieri 20 vjeçar, Enes Azizi vjen si talent i madh, me cilësi të larta, gjatësi prej 194 cm dhe nga ai pritet që së shpejti të imponohet me kualitetin e tij. Azizi me Shkëndijën ka firmosur kontratë për 18 muaj, ndërsa me ekipin punon që nga vjeshta e vitit të kaluar, duke konfirmuar potencialin e tij në seancat stërvitore dhe disa ndeshje me ekipin B të Shkëndijës.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Shkëndijës dhe do të jap maksimumin për këtë ekip. Sigurisht mendoj se ky është hap i rëndësishëm, sepse Shkëndija është ekip shumë e madhe në ballkan”, u shpreh portieri Enes Azizi.
Me Stefan Ashkovskin dhe Enes Azizin shkon në 4 numri i përforcimeve të Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht si futbollist të rinj në fanellën ‘kuqezi’ u prezantuan Victor Nildo Juffo dhe Besir Demiri. kfshkëndija
