Maqedoni

Protesta para Kuvendit, krerët e shtetit dënojnë dhunën

06.07.2022 14:30

Presidenti Stevo Pendarovski ka dënuar dhunën para Kuvendit...

Presidenti Stevo Pendarovski ka dënuar dhunën para Kuvendit. Sipas presidentit, dhuna nuk duhet të shërbej si mjet në demokraci e as si metodë në politikë .
 
“Dhuna nuk duhet të ketë vend në demokracitë moderne”, reagon  Penderovski.
 
Edhe kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi dënon dhunën.
 
“Mbështes të drejtën e secilit në protestë, të shprehjes së qëndrimit. Fuqishëm e dënoj huliganizmin, dhunën, nxitjen e urrejtjes sepse ato nuk janë zgjidhja”, shkruan Xhaferi.
 
Me reagim të ashpër edhe Kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
“Dhuna dhe urrejtja nuk mund të jenë zgjidhje për asnjë problem. Unë do t’u them zjarrvënësve të protestave – mos manipuloni dhe abuzoni me të rinjtë për orekset tuaja politike. 27 prilli nuk do të ndodhë më”, thuhet në statusin e kryeministrit në Facebook.
 
Kaevski:  Mickovski dhe Apasiev protestuan dhunshëm
 
Nga LSDM  kërkuan përgjegjësi për dhunuesit.
 
“Mbarë opinioni në vepër pa dhunën, fytyrën e vërtetë të VMRO – DPMNE –së dhe partnerit të tyre ‘Të Majtës’ proruse. Organizatorët Hristijan Mickovski dhe Dimitar Apasiev udhëheqnin protestën e dhunshme dhe kur filloi dhuna, aspak nuk u përpoqën që të qetësojnë turmën.”, tha Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM - së.
 
Kovaçki: Dhuna para Kuvendit, skenar i policisë
 
Nga VMRO – DPMNE distancohen nga dhuna para Kuvendit madje akuzojnë se e njejta  ishte vepër e instalimeve policore të LSDM – së.
 
“Kovaçevski dhe LSDM do të duhet të përgjigjen se ku i morrën shok bombat personat e maskuar, depoja e kujt në kazermën e Ohrit para një muaji u grabit dhe u vodhën shok bombat, kush bënte trajnime në 7 maj për protesta dhe nga e dinte Spasovski dhe Kovaçevski se protestat do të jenë të dhunshme?”, tha Dragan Kovaçki nga VMRO – DPMNE.
 
BDI dhe Alternativa dënojnë dhunën
 
Protestat u dënuan edhe nga partitë shqiptare në pushtet BDI dhe Alternativa.
 
“BDI e dënon ashpër dhunën anti-europiane në rrugët e Shkupit të nxitur dhe realizuar nga elementet proruse në vendin tone që janë kundër BE-së, NATO-s, fqinjësisë së mire dhe stabilitetit.”, thuhet në kumtesën e BDI – së.
 
“Pas protestave të mbrëmshme të një grupi qytetarësh, me ç’rast mbetën të lënduar mbi 40 policë, pati edhe thirrje antishqiptare. AlternAtivA e gjykon këtë veprim si akt joqytetërues e barbar dhe bën thirrje për qetësi dhe maturi.”, thuhet në reagimin e Alternativës. 
 
MERALE ISMAILI