266 raste të reja me Covid, KSI: Fillon vaksinimi edhe me dozën e katërt
Nga kjo e mërkurë, mund të merret doza e katërt....

Nga kjo e mërkurë, mund të merret doza e katërt e vaksinës kundër Covid-19, informoi Komisioni për Sëmundjet Infektive pas mbledhjes, ku u shqyrtuan konkluzionet e Komisionit Kombëtar të Imunizimit.
Dozën e katërt mund ta marrin personat mbi 18 vjeç, të cilët kanë marrë tre doza të vaksinës kundër Covid-19.
Vaksinimi me dozën e katërt do të bëhet me vaksinat "Pfizer" dhe "Moderna" dhe distanca e rekomanduar nga doza e tretë është të paktën katër muaj.
Nga KSI thonë që qytetarët mund të drejtohen në pikat e vaksinimit pa termin.
Vaksinimi me dozën e katërt rekomandohet veçanërisht për pacientët me sëmundje kronike, pacientët me dializë, pacientët me transplant, ata onkologjikë, pacientët me imunitet të dobët dhe pacientët që marrin terapi imunosupresive dhe imunomoduluese ,dhe te personat mbi 60 vjeç.
Autoritetet shëndetësore ftojnë qytetarët të imunizohen në pikat e vaksinimit kundër Covid- 19, për të fituar imunitet shtesë.Vaksinimi është masa më e mirë parandaluese për mbrojtjen nga një formë më e rëndë e virusit Covid-19. Shteti ka sasi të mjaftueshme vaksinash, të sigurta dhe efektive, thonë autoritetet shëndetësore.
Në 24 orët e fundit në vend janë identifikuar 266 raste të reja covid 64 janë riinfektim. Për fat të mirë nuk ka asnjë fatalitet as në këto 24 orë. Numri i të shëruarve është 119. Aktualisht në vend ka 1.273 raste aktive. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
