Botë

“Dorëzohet” Boris Johnson, kryeministri britanik pranon të japë dorëheqjen

07.07.2022 14:42

Boris Johnson u dorëzua e dha dorëheqjen pasi vetë partia e tij i doli kundër në javët e kaluara....

Boris Johnson u dorëzua e dha dorëheqjen pasi vetë partia e tij i doli kundër në javët e kaluara. 
 
“Prita kaq gjatë për të marrë vendimin pasi isha i prirur t’ua dorëzoja personalisht mandatin votuesve, sepse  e ndjeja se ishte detyrë dhe detyrim i imi që të bëja atë që kisha premtuar. Jam jashtëzakonisht krenar për arritjet, duke përfshirë përfundimin e Brexit, kalimin e Mbretërisë së Bashkuar përmes pandemisë dhe udhëheqjen e Perëndimit në përballjen me pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin. Mbretëria e Bashkuar duhet të "vazhdojë të nivelizohet", kjo do ta bëjë vendin më të prosperuar në Europë. U përpoqa të bind kolegët se do të ishte "eksentrike" të ndryshonim qeverinë kur kemi një mandat të tillë, por më vjen keq që nuk isha i suksesshëm në ato argumente. Në Uestminster instinkti i tufës është i fuqishëm, kur tufa lëviz, Uestminster lëviz.”, tha kryeministri i Britanisë në dorëheqje, Boris Johnson. 
 
Opozita mirëpret vendimin, kërkon zgjedhje për të nxjerrë vendin nga kaosi
 
Laburistët dhe Liberal Demokratët, thonë se konservatorët dhe qeveria janë  të papërshtatshëm për të trajtuar problemet me të cilat përballet vendi. Kërkojnë zgjedhje. 
 
“Kemi pasur 12 vite ekonomi në stagnim, 12 vite shërbime publike të shkatërruara, 12 vite premtime boshe. Mjaft ishte. Ndryshimi që na nevojitet nuk është një ndryshim në krye të partisë konservatore, por është shumë më thelbësor se kaq. Ne kemi nevojë për një ndryshim të qeverisë dhe një fillim të ri për Britaninë.”, tha sir Keir Starmer, kryetar i partisë Laburiste.
 
“Partia Konservatore lejoi që ky kryeministër shkelës i ligjit, të qëndrojë në detyrë. Janë shkaktuar dëmet të mëdha, miliona familje, pensionistët në të gjithë vendin, u përballën me krizën e kostos së jetesës, dështimin e sistemit shëndetësor. Ishte qeverisje në kaos.”, tha sir Ed Davey, udhëheqës i Liberal Demokratëve.
 
Opozita e brendshme ndaj Johnsonit, erdhi pas zemërimit për skandalin e festave në pandemi dhe pas neglizhencës ndaj akuzave kundër ish-shefit të grupit parlamentar, Chris Pincher, për sjellje të pahijshme. Sinjali se fati i kryeministrit ishte i shënuar, erdhi dy ditë më parë kur ministri i Financave dhe sekretari për Shëndetësinë dhe kujdesin social dhanë dorëheqjen brenda pak minutave mbrëmjen e së martës, e të njëjtin shembull ndoqën edhe anëtarët e tjerë më të rinj të qeverisë. Johnson tentoi të zëvendësojë ministrat e dorëhequr, por asnjë brenda partisë nuk pranoi të sakrifikohej për një lider që tashmë shihet si i “dështuar”.
 
MIGENA GORENCA