Maqedoni

Incidenti tek sheshi Skenderbeu, partitë me akuza të ndërsjella për dhunën

07.07.2022 15:32

Partitë shqiptare dënojnë dhunën e shkaktuar një ditë më parë në sheshin Skenderbeu....

Partitë shqiptare dënojnë dhunën e shkaktuar një ditë më parë në sheshin Skenderbeu. Sipas BDI-së dora e zgjatur ruse është aktive në vend dhe agjentë të huaj si dhe partitë opozitare janë të përfshirë në incidentet duke shtuar dhunën.

“Deklarata të tilla vijnë nga partitë opozitare dhe janë pasojë e drejtpërdrejtë e koalicionit E Majta të 5 nëntorit të vitit të kaluar në tavolinën sihin ulur të gjithë këta që ishin pjesëmarës në këto protesta, të këtyre ditëve. Ju e patë dhe dje, ishit dëshmitarë të një incidenti të inskenuar nga aktivistë të VMRO – DPMNE – së, Levicës dhe Aleancës për të prodhuar incidente ndëretnike.”, tha zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.
 
Nga LSDM thonë se Mickovski ishte regjisor i skenarit të errët, i ndihmuar nga partitë tjera në opozitë. Përpjekjet e tilla sipas LSDM-së ajnë antievropiane.
 
“I mbarë opinion dje pa përpjekje për skenar të përgjakur në regji të Hristijan Mickovskit dhe partnerëve të koalicionit ‘E Majta’ dhe Aleanca. Për këto qëllime personale, Mickovski dje ishte gati që të të fusë mbarë shtetin në konflikt, nëpërmjet një skenari të erret dhe të përgjakur për përplasje civile etnike. Ky skenar ishte i pasuksesshëm si pasojë e trysnisë së opinionit publik dhe  reagimit të institucioneve.”, tha Martin Kostovski nga LSDM.
 
Nga Aleanca për Shqiptarët duke shfajësuar veten thonë se shqiptarët kanë mbetur të pambrojtur nga policia. 
 
“Zv/kryeministri Artan Grubi, i cili jo vetëm që nuk e ka parë të udhës këto dy ditë të dënojë dhunën ndaj shqiptarëve në Shkup, të angazhojë institucionet në mbrojtjen e qytetarëve, por përkundrazi mori të drejtën që të del e të njollosë qytetarët e sulmuar, viktimat dhe të tentojë të politizojë këtë rast dhe të njollos ASH-në. I bëjmë me dije Artan Grubit dhe gjith BDI-së se opinion vendor e në veçanti shqiptarët mbajnë mend mirë se kush janë skenaristët e vërtetë gjatë dy dekadave të fundit.”, tha zëdhënësi i ASH-së Arben Zeqiri. 
 
Nga VMRO – DPMNE akuzojnë ministrinë e brendshme se nuk ka siguruar protestuesit duke i vënë ata në rrezik për jetën tek sheshi Skenderbeu. Kërkua dorëheqjen e ministrit Spasovski, por edhe ministrit të jashtëm Bujar Osmani.
 
“Oliver Spasovski as që ka mbajtur llogari për sigurinë e qytetarëve, pjesëmarrës në protest. Si pasojë e mos marrjes së masave dhe aktiviteteve erdhi deri tek prishja serioze e rendit dhe qetësisë publike. Detyrë e ministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij është që të mbrojnë sigurinë e pjesëmarësve në protest, por ata këtë nuk e kanë bërë duke rrezikuar jetën e tyre. Spasovski do të duhet të përgjigjet penalisht dhe të jep dorëheqje. Dorëheqje duhet të jep edhe ministri për punë të jashtme Bujar Osmani.”, tha Naqe Çulev nga VMRO–DPMNE.
 
Nga VMRO–DPMNE bëjnë me dije se s’do heqin dorë protesta dhe se ndryshimet do të vijnë me rënien e pushtetit aktual.
 
MERALE ISMAILI