Maqedoni

ASH ndërpret bashkëpunimin me VMRO-DPMNE-në

07.07.2022 19:24

Aleanca për Shqiptarët ndërpret bashkëpunimin e deritanishëm me VMRO-DPME-në....

Aleanca për Shqiptarët ndërpret bashkëpunimin e deritanishëm me VMRO-DPME-në. Kjo vjen si pasojë e incidentit të djeshëm gjatë protestave ku vëllai i Zudi Enuzi-Koka,ushtrues detyre drejtor në Ndërmarrjen e Higjienës Komunale shtiu me armë zjarri, ndërsa ky i fundit u shkarkua nga detyra nga ana e kryetares së Qytetit të Shkupit.

“Mbrëmë i gjithë opinioni ishte dëshmitarë edhe i një skenari për të sulmuar shqiptarët e Shkupit dhe pronën e tyre, ngjashëm si skenaret e kaluara ku për qëllime dhe pazare politike shqiptarët bëheshin kurban, ndërsa BDI, LSDM dhe VMRO përfitonin pikë politike.

Rruga drejt BE-së nuk guxon të merr haraç pronën dhe jetën e qytetarit shqiptar. Këtë e themi hapur dhe zëshëm për ata që në emër të evropianizimit e bëjnë kurban shqiptarin dhe kundrejt atyre që protestat kundër evropiane i drejton kundër popullit më evropian, popullit shqiptar.

Kontaminimi dhe metastazimi i Levicës në VMRO-DPMNE, rikthimi i skenarëve të përbashkëta të BDI-së dhe VMRO si në kohën e Gruevizmit, tani me mbështetje të LSDM-së, janë lehtë të lexueshme dhe të patolerueshme për Aleancën për Shqiptarët. Ne nuk lejojmë që të jemi as pjesë e as viktima të skenarëve të tilla.

Aleanca për Shqiptarët nuk lejon as dëmtimin e shqiptarëve, as nënçmimin e shqiptarëve dhe as të shkelet krenaria e shqiptarëve.”, tha Vjollcë Berisha, Sekretare e Përgjithshme e ASH-së.