Maqedoni

Takim online i liderëve të “Ballkanit të Hapur”

08.07.2022 11:44

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot mbajti takim online me Presidentin e Serbisë...

Kryeministri  Dimitar Kovaçevski, sot mbajti takim online me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dedikuar intensifikimit të bashkëpunimit për tejkalimin e përbashkët të vështirësive në furnizimin me ushqim dhe energji, si dhe për të përballuar bashkërisht zjarret e mundshme në të tre vendet këtë verë.
 
Liderët ranë dakord për krijimin e grupeve të përziera ndër-sektoriale të punës për temat e krizës dhe me qëllim krijimin e një agjencie të përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në “Ballkanin e Hapur”.
 
Kryeministri Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e hapur që Vuçiq dhe Rama e kanë shprehur në lidhje me propozimin e modifikuar evropian, duke informuar se propozim-korniza negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian përfaqësuar nga presidenca franceze e BE-së, Qeveria e përcolli në Kuvend për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve të mëtutjeshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
Rama dhe Vuçiq përsëritën mbështetjen e tyre për aktivitetet e ndërmarra nga Kovaçevski, gjegjësisht hapjen e konsultimeve të gjera me aktorët shoqëror në vend, duke theksuar se e ardhmja evropiane e rajonit është e vetmja mundësi e mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
 
Liderët e nismës “Ballkani i Hapur” theksuan rëndësinë e aktiviteteve të ndërmarra për të shfrytëzimin e lidhjes rajonale dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, e cila tashmë ofron përfitime ekonomike për të gjithë qytetarët.