Botë
U qëllua gjatë një fjalimi electoral, ndërron jetë ish kryeministri japonez, Shinzo Abe
08.07.2022 11:16
Ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe ndërroi jetë pak orë pasi u qëllua me armë në një takim elektoral në qytetin jugor Nara.,,,

Ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe ndërroi jetë pak orë pasi u qëllua me armë në një takim elektoral në qytetin jugor Nara. Sulmuesi u afrua dhe e qëlloi me armë dy herë në qafë dhe shpinë. Abe u rrëzua menjëherë në tokë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin më të afërt, por nuk mundi tu mbijetojë plagëve. Atentatori 41-vjeçari Tetsuya Yamagami, u arrestua menjëherë nga policia. Ai i arsyetoi krimin me faktin se nuk ishte i kënaqur me ish-kryeministrin japonez dhe se kishte ndërmend ta vriste atë me një armë të bërë vetë. Mediat lokale thonë se ai besohet të jetë një ish-anëtar i Forcës Vetëmbrojtëse Detare të Japonisë. Kryeministri aktual Fumio Kishida, ka dënuar ashpër sulmin .
“Autori është barbar dhe keqdashës e nuk mund të tolerohet. Është një akt kaq i neveritshëm që ka ndodhur gjatë periudhës zgjedhore, e cila është themeli i demokracisë. Është krejtësisht e papranueshme. Unë e dënoj aktin në termat më të ashpër të mundshëm.”, tha kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida.
Krerët e shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota e kanë dënuar sulmin e kanë deklaruar se janë me popullin dhe qeverinë e Japonisë në këto momente të rënda.
BELINDA KOKA ADEMI
