Maqedoni
Propozimi francez, Pisonero: Vendim sovran i RMV-së, ndjekim nga afër debatin
08.07.2022 13:33
Komisioni Evropian potencon se vendimi për propozimin francez është vendim sovran i Maqedonisë së Veriut...

Komisioni Evropian potencon se vendimi për propozimin francez është vendim sovran i Maqedonisë së Veriut, por procesi rreth propozim kornizën e negociative të presidencës franceze, po ndiqet me kujdes. Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, thotë se po ndiqen me vëmendje të gjitha konsultimet që po zhvillohen në RMV.
“Pas dërgimit të propozimit të rishikuar francez, patë se kryeministri Dimitar Kovacevski shpalli një proces të gjerë konsultimi me të gjitha palët e interesuara. Ky proces është në vazhdim e sipër . Sigurisht që vendimi për këtë propozim të rishikuar është vendim sovran i Maqedonisë së Veriut, por ne po i ndjekim nga afër ngjarjet dhe debatet që po zhvillohen.”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e KE-së.
E pyetur për përmbajtjen e kornizës së negociatave dhe përfshirjen në propozim të çështjeve dypalëshe me Bullgarinë, Pisonero nuk komentoi, por i drejtoi gazetarët në faqen e internetit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ku publikohen dokumentet. Nëse propozimi francez për kornizën negociuese miratohet, RMV fillimisht do të duhet të kalojë një raund tjetër të shqyrtimit shpjegues për të gjithë legjislacionin e ri, të miratuar nga viti 2019 deri tani, për të gjithë kapitujt. Pas shqyrtimit shpjegues, do të fillojë shqyrtimi bilateral. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pasur takime shpjeguese për shqyrtimin e legjislacionit nga viti 2018 deri në vitin 2019. Screeningu i ri dypalësh, duhet të zgjasë rreth dy vjet.
FITIM KRYEZIU
