MM shpalli konkurs për pranimin e ushtarëve profesionist

13.01.2015 15:58

Ministria e Mbrojtjes shpalli konkurs për pranimin e 125 ushtarëve profesional në Armatë....

Pranimi i pjesëtarëve të ardhshëm do të realizohet në disa faza. Në fazën e parë kandidatët e interesuar do të dorëzojnë dokumentet në njësitë rajonale të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në fazën e dytë do të realizohen kontrollet shëndetësore, në të tretën kandidatët do të kalojnë teste për aftësitë e tyre fizike. Pas këtyre tre fazave, kandidatët do të përzgjidhen nëpërmjet një kursi i cili do të zgjasë  24 ditë.

Ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, deklaroi se në këtë konkurs do të kihet parasysh përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i bashkësive etnike në Maqedoni.

“Kuptohet se gjatë pranimit do të kemi parasysh edhe përfaqësimin e bashkësive etnike të kandidatëve paralelisht me kushtet të cilat janë vënë se cilat persona do të duhet të pranohen si ushtarë profesional”- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

Kandidatët e interesuar duhet të kenë parasysh se secila fazë do të ketë karakter eliminues nëse të interesuarit nuk plotësojnë kushtet e nevojshme.

“Në fazën e parë do të kontrollohen dokumentet se a janë në rregull nga aspekti juridik, në fazën e dytë ku bëhet kontrolli shëndetësor do të shihet nëse kandidati i plotëson të gjitha parakushtet fizike, në të kundërtën nuk mund të jetë pjesëtarë i Armatës. Faza e fundit do të ketë karakter eliminator vetëm për kandidatët që dëshirojnë të jenë pjesë e njësive speciale”- tha ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

Procesi i pranimit të pjesëtarëve të rinj të Armatës pritet të përmbyllet në fund të muajit mars apo në fillim të muajit prill.

Jolevski paralajmëroi pranimin edhe të 125 ushtarëve të tjerë në një konkurs që do të hapet në muajin gusht. (Meral Ismaili, TVM2)