Sheshi “Skënderbe” sipas shembullit të metropoleve evropiane

13.01.2015 16:12

Sheshi “Skënderbe” iu nënshtrua fazës së dytë ndërtimore e cila do të lidhë dy anët ekzistuese me institucionet kulturore dhe arsimore anembanë tij dhe përtej rrugës...

Projekti i zgjerimit të Sheshit “Skënderbe” do të bëhet gjatë muajve të ardhshëm. 

Ndërtimi i kësaj faze nënkupton mbulimin e Bulevardit “Goce Delçev”, pra do të ndërtohet shesh  sipas shembullit të  metropoleve evropiane.

Komuna e Çairit tanimë është pajisur me të gjitha lejet dhe pëlqimet e nevojshme për zgjerimin e këtij sheshi dhe ditë më parë filluan me punën në terren. Gjithçka është gati, inspektorët dhe arkitektët sot i takuam duke punuar në zgjerimin e këtij sheshi, i cili do të ketë sipërfaqe prej 6 mijë metra katrorë, vend i cili do të dedikohet për pushime dhe shëtitje.

“Tanimë ekipet e caktuara intensivisht po punojnë në këtë drejtim për realizimin e kësaj faze. Kjo fazë do të përfshijë mbulimin e Bulevardit “Goce Delçev” për shkak që patëm dhe ngecje në këtë drejtim, që ishte paraparë të fillojnë punimet në muajin nëntor, por për arsye se ishte e nevojshme një leje, të cilën tanimë e kemi marrë nga MPB-ja, u zgjat afati i fillimit të punimeve. Leja në fjalë ka të bëjë me bllokimin e pjesërishëm të qarkullimit të automjeteve në Bulevardin “Goce Delçev”, duke përdorur rrugët alternative, si dhe do të ketë bllokim të dy korsive, ku do të qarkullojnë automjetet, ndërsa dy korsitë të tjera do të jenë në funksion për qytetarët”- tha Kaltrina Zekolli nga Komuna e Çairit. 

Qytetarët e anketuar  të  TVM-2 e mirëpresin realizimin e këtij projekti, duke vlerësuar se sot një shesh i zgjeruar dhe më i madh do të ishte në dobi të të gjithë shqiptarëve.

“Po më pëlqen sheshi “Skënderbe” dhe kur do të mbarojë edhe kjo fazë do të jetë akoma më i bukur ky shesh. Ne që jemi të kësaj ane të Shkupit kemi nevojë për një shesh të mirë”- u shpreh një qytetar.

“Ide  e mirë, ne  kemi nevojë për shesh të bukur, duhet të ketë hapësira për të shëtitur edhe natën edhe ditën”- tha një qytetar.

Ndërtimi i fazës së dytë të Sheshit “Skënderbe” kap vlerën prej 10 milionë euro,  para të cilat janë siguruar nga buxheti i shtetit. (Rexhep Qamili, TVM2)