Ndahen certifikatat e para për taksistët
Taksistëve u obligohet që të kenë certifikatë për vozitje. Sipas Ligjit për Transport Rrugor, një nga kushtet për të marrë licencë apo për të vazhduar licenca për taksist është që auto-taksistët të pajisen me këto certifikata....

Sot u ndanë edhe pesë certifikatat e para kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin për taksist.
Sipas kryetarit të Shkupit, Koce Trajanovski, në këtë mënyrë do të vendoset një rend në transportin me taksi.
“Auto-taksisti i cili do të pajiset me këtë certifikatë do të mund të punojë si taksist individual apo mund të punësohet në kompanitë si taksist. Në këtë mënyrë mendojmë se e rrisim nivelin e kualitetit të shërbimit në transportin me taksi dhe gjithashtu e rrisim edhe sigurinë e udhëtarëve”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Për t’u pajisur me këtë certifikatë kandidatët do të duhet t’i kryejnë trajnimet para personave juridik të autorizuar nga Qyteti i Shkupit dhe pastaj duhet t’i nënshtrohen provimit para komisionit i cili është i përbërë nga 3 përfaqësues të Qytetit të Shkupit dhe 2 përfaqësues të taksi-kompanive.
“Ne nëpërmjet planprogramit tonë me 15 orë mësim teorik, kandidatët për vozitës i përgatisim që të kenë njohuri të mjaftueshme për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në komunikacion. Programi ndahet në 3 pjesë: mbi rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, njohuritë mbi komunikacion, etika morali dhe sjellja e vozitësit si vozitës profesionalist, që duhet të jetë servis për pasagjerët”- tha pronari i Shkollës private të Komunikacionit “Ardi”, Nexhmedin Fazliu.
Nënshtrimi i provimit kushton gjithsej 3500 denarë.
Kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, u bëri thirrje qytetarëve të voziten me taksistë që kanë certifikatë, që të jenë më të sigurt gjatë vozitjes së tyre. (Ersan Pajaziti, TVM2)
