Besimtarët musliman festojnë Kurban Bajramin, Fetai: Mirëkuptim mes njerëzve pavarësisht ndasive

09.07.2022 14:04

Besimtarët musliman festojnë Kurban Bajramin....

Besimtarët musliman festojnë Kurban Bajramin. Kjo është festa e dytë më e madhe pas Fiter Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup.

Pas faljes së namazit, muslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti, dashurie dhe mëshire.

Sipas traditës, muslimanët e festojnë këtë Bajram 3 ditë. Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Shaqir Fetai, uroi besimtarët musliman, duke na kujtuar se kjo festë simbolizon solidaritetin, sakrificën dhe ndihmën e ndërsjellë.

Fetai tha se   krahas pelegrinazhit të haxhit, aspekt kryesor i kësaj feste është therja e kurbanëve dhe ndarja e tyre me familjarët dhe ata  që kanë nevojë.

“Kjo festë është rezultat i gëzimit për formimin e një ambienti të flijimit të më të shtrejtës, nga e cila buron dashuria ndaj Zotit, përkushtimi ndaj njerëzores, humanes, morales, paqes dhe dinjitetit. Ndërkaq varfëria,skamja, diskriminimi, mbytja, lufta janë veset më të shëmtuara që mund ti ndodhin njerëzimit .Të gjitha këto vijnë nga rënia e vetëdijes për të flijuar më të shtrejtën për Zotin dhe për të mirën e njeriut” – tha Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Shaqir Fetai.

Fetai, ndër të tjera, ka bërë edhe thirrje për paqe e bashkëpunim në mes të njerëzve  pavarësisht ndasive etnike.

Festën e kurban Bajramit, besimtarëve musliman në vendin tonë ua uruan edhe krerët shtetërorë dhe të partive politike me mesazhin që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)