Ndryshimet e Ligjit për tekste Shkollore do të mundësojnë eliminimin e gabimeve
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke punuar në përpilimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit ekzistues për Tekste Shkollore, me qëllim që të analizohen detajisht gabimet përmbajtësore, por edhe teknike, që janë evidentuar në librat shkollor...

Këto ndryshime do të precizojnë mënyrën se si duhet përpiluar një tekst shkollor dhe cilat elemente duhet të ketë i njëjti.
“Do të precizohen kushtet kritere se si mundet një autor të shkruaj një libër, do të përforcohen kriteret edhe për komisionin recensues, do të ketë përgjegjësi secili për pjesën e vet të punës nëse nuk përmbajnë komponenta ta quajmë të bashkëjetesën mes bashkësive etnike, do të thotë elemente jo që na ndajnë, por që na bashkojnë”- deklaroi këshilltari në MASH, Safet Neziri.
Edhe për shtëpitë botuese do të vlejnë po ashtu kriteret e parapara me ndryshimin dhe plotësim e Ligjit ekzistues për Tekste Shkollore.
“Kritere të cilat janë kritere të unifikuara. Përveç kritereve se si do të jetë libri, kualiteti i librit, do të ketë kritere edhe për pjesën e shkrimit, botimit të atyre librave shkollor”- tha Neziri.
Sipas Nezirit, të gjithë ata të cilët nuk do të respektojnë rregullat, qofshin autorë ose shtëpi botuese, në të ardhmen do të sanksionohen, sepse nuk do të lejohet të ketë nënçmime të kulturës, historisë së bashkësive tjera etnike. (Flutura Latifi, TVM2)
