Takimi Angelovska-Bezoska - Georgieva: Po ndërmerren masa për përballimin e krizës
Pavarësisht se mjedisi ekonomik global sjell sfida të mëdha....

Pavarësisht se mjedisi ekonomik global sjell sfida të mëdha, bartësit e politikave ekonomike ndërmarrin masa dhe politika të forta. Një gjë e tillë është konstatuar nga drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar , Kristalina Georgieva, në takimin online me guvernatoren e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezoska, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Financave, Fatmir Besimi.
Gruaja e parë e FMN-së theksoi pikëpamjen e saj për politikat e duhura ekonomike në profilin e saj në Tëitter.
Dëshmi e përshtatshmërisë së politikave është edhe mundësia e aksesit në Instrumentin për Kujdes dhe Likuiditet, përmes të cilit FMN-ja do të sigurojë likuiditet shtesë për vendin tonë për tejkalimin e sfidave aktuale, që në fakt ishte tema e takimit.
Gjegjësisht, ky instrument u jepet vendeve që kanë baza të shëndosha ekonomike, praktikë dhe pritet të vazhdojnë të praktikojnë politika të shëndosha ekonomike dhe të kenë stabilitet makroekonomik.
Gjatë procesit të miratimit të Instrumentit për Kujdes dhe Likuiditet, vlerësohet përshtatshmëria e politikës monetare, stabiliteti dhe mbikëqyrja e sektorit financiar, si dhe përshtatshmëria e të dhënave statistikore.
Gatishmëria e Fondit për miratimin e instrumentit tregon se Banka Popullore po u përgjigjet me sukses sfidave në të gjitha këto fusha të kompetencës së saj.
Sa u përket politikave të zbatuara nga Banka Popullore, synimi dhe fokusi primar mbetet ruajtja e stabilitetit.
Banka Popullore filloi procesin e normalizimit gradual të politikës monetare me qëllim ruajtjen e stabilitetit afatmesëm të çmimeve.
Si rezultat i rritjes më të lartë të produkteve primare dhe efekteve mbartëse në shumicën e produkteve dhe shërbimeve, duke përfshirë rritjen e pritjeve për inflacionin, norma bazë e interesit ka reaguar në tre raste deri më tani.
Në vazhdimësi, Banka Popullore vepron edhe në tregun valutor për menaxhim optimal të likuiditetit. Në këtë drejtim ka pasur dy reagime për rezervën obligative në drejtim të nxitjes së denarizimit. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
