Maqedoni
Micevski: Do të marrim pjesë në koordinimin e thirrur nga Xhaferi, por vetëm për të përsëritur kërkesat
11.07.2022 11:27
Në Kuvend po mbahet seanca koordinuse mes grupeve parlamentare dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi...

Në Kuvend po mbahet seanca koordinuse mes grupeve parlamentare dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi, për mbajtjen e seancës plenare për propozimin francez. Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, njoftoi se do të marrin pjesë në koordinim, për të përsëritur qëndrimet dhe kërkesat e grupit të tyre parlamentar.
“Edhe pse i kemi dërguar një letër Talat Xhaferit për të cilën e kemi njoftuar edhe opinionin publik, ende nuk kemi asnjë përgjigje për kërkesat tona. Ndaj të njëjtat kërkesa do t'i komunikoj edhe personalisht Xhaferit sot. Kërkojmë që informacioni i dërguar nga Qeveria të kthehet si material jo i plotë dhe të mos cenohet dinjiteti i Kuvendit me një dokument të tillë. Fleta e letrës që Qeveria e quan Informata për përmbajtjen e Propozimit për kornizën negociuese për negociatat ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së është një mosrespekt i plotë për ne deputetët. Nuk është e mundur të diskutohet puna më e rëndësishme në vend në dhjetë vitet e ardhshme me një fletë letre.”, tha koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Ai kërkoi edhe dorëzimin urgjent të protokollit maqedono-bullgar, të cilin e ngriti në nivelin e dokumentit më të rëndësishëm në këtë proces.
“Nëse deputetët e mazhorancës qeveritare janë të gatshëm për një poshtërim të tillë, ne nga opozita nuk jemi, prandaj kërkojmë që të gjitha dokumentet të dorëzohen sipas procedurës parlamentare të biznesit. Gjithashtu, Kuvendi duhet të jetë i gatshëm të dëgjojë reagimet e qytetarëve, ekspertëve, sektorit joqeveritar dhe të gjithë aktorëve të tjerë dhe të organizojë një debat dhe shqyrtim të këtij propozimi.”, tha Micevski.
Micevski tha gjithashtu se grupeve punuese që janë formuar në Kuvend duhet t'u jepet kohë që t'i shqyrtojnë të gjitha dokumentet që ka Qeveria, si dhe të gjitha propozimet e mundshme në mënyrë që ky proces të bëhet sa më transparent.
MERITA GASHI
