Ivanov takoi mbështetësit e ndryshimit ligjor në arsimin e lartë

13.01.2015 18:13

Profesorët dhe studentët, të cilët i mbështesin ndryshimet ligjore në arsimin e lartë, kanë takuar presidentin, Gjorge Ivanov....

Pas takimit, profesoresha, Tanja Karakamisheva, tha se provimin shtetëror e shohin si një mekanizëm që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë. Karakamisheva, kërkoi që palët e përfshira pakënaqësitë t’i shprehin përmes dialogut.

“Provimi shtetëror vlerësojmë se është vetëm njëri nga mekanizmat e përmirësimit të kualitetit në arsimin e lartë. Mendojmë se ajo zgjidhje do të jetë e mirë, mirëpo nuk do të thotë se nuk duhet edhe më shumë të përmirësohet. Nuk jemi për ndarje dhe as nuk i përkrahim ato. Edhe një herë ia japim shansin Plenumit të Profesorëve që të ulemi në tavolinë të përbashkët dhe t’i shohim qëndrimet tona të ndryshme”- deklaroi profesoresha, Tanja Karakamisheva.

Në takim me kryetarin Ivanov ishin edhe studentët që janë pjesë e iniciativës për mbështetjen e ligjit.

“Biseduam, i shpalosëm mendimet tona dhe arsyetimet tona. Nuk pajtohem se cenohet autonomia e universiteteve. Mendoj se reformat janë të nevojshme dhe për këtë jemi të hapur dhe do të bisedojmë”- tha studenti, Trajçe Mitrev.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nëpërmjet një komunikate me shkrim ka vlerësuar pozitivisht debatin dhe diskutimin e deritanishëm publik për ndryshimet e ligjit në fjalë.

Në këtë drejtim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vlerëson se propozimi i sotëm i ofruar nga Universiteti "Shën Qirili dhe Metodi"- Shkup, për të zbatuar një pilot projekt për provimin shtetëror para aplikimit të tij zyrtar, është një sugjerim konstruktiv. (Naim Ramadani, TVM2)