Botë

27 vjet nga masakra e Srebrenicës, mbi 1,200 viktima ende të zhdukura

11.07.2022 13:49

Sot mbushen 27 vjet nga Masakra e Srebrenicës....

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që kanë pasuar, ata  vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth. Vrasjet ndodhën në  pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende. Eshtrat e 50 viktimave të gjetura, u varrosën në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera. Mbi 1,200 viktima të masakrës, mbeten ende të zhdukura. 
 
Masakra e Srebrenicës, pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid. 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq janë dënuar me burgim të përjetshëm. Udhëheqësit politikë të serbëve që jetojnë sot në Bosnje dhe në Serbinë fqinje refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid.