Maqedoni

Rritja e pagave, Trençevska: Punojmë për zgjidhje sistematike

11.07.2022 14:27

As me ribalancimin shtesë të buxhetit administrata publike nuk do ta marrë rritjen e kërkuar lineare të pagave prej 2.806 denarë....

As me ribalancimin shtesë të buxhetit administrata publike nuk do ta marrë rritjen e kërkuar lineare të pagave prej 2.806 denarë. Por ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençevska, pohon se dialogu social është i hapur dhe vazhdon. Ajo thotë se është në interes edhe të Qeverisë edhe të Ministrisë që të ketë paga më të larta, por vetëm përmes zgjidhjes sistematike të çështjeve. 
 
“Dialogu social është i hapur dhe vazhdon. Duhet të kemi një zgjidhje sistematike të çështjeve,  jo zgjidhje, “ad hoc”, por të ndërtojmë një sistem të përhershëm dhe të qëndrueshëm, pikërisht këtë e ofrojmë ne. Metodologjia e re, do të nënkuptojë rritje të vazhdueshme të pagave të administratës publike, duke përcjellë rritjen e inflacionit dhe rritjen e pagës mesatare në vend, një ligj i ri për pagat në administratën publike dhe një marrëveshje e re kolektive, që do të rregullojë të drejtat shtesë të administratës publike.”, tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençevska.
 
Nga 22 qershori, 138.000 anëtarë të  Lidhjes së Sindikatave, hynë në grevë të përgjithshme me kërkesën për rritje lineare të pagave prej 2806 denarë. Thonë se rritja e çmimeve dhe rritja e inflacionit, i cili në qershor arriti në 14.5%, ndikon në uljen e fuqisë blerëse të punëtorëve dhe çon në varfërimin e të gjithë popullsisë. Sipas analizës së LSM-së, vetëm për një vit shporta minimale sindikale është rritur për 16%.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI