Ekonomi
Kuvend, rishikimi buxhetit në seancë plenare
11.07.2022 15:25
Kuvendi ka nisur shqyrtimin e ribalancit të buxhetit të plotësuar nga Komisioni për Financa dhe Buxhet...

Kuvendi ka nisur shqyrtimin e ribalancit të buxhetit të plotësuar nga Komisioni për Financa dhe Buxhet. Ministri i financave Fatmir Besimi gjatë arsyetimit të planifikimeve për shpenzimin e arkës shtetërore theksoi se rishikimi i buxhetit ka qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, si dhe përballjen me nevojat urgjente të vendit.
“Vazhdon sfida e hartimit të këtij rishikimi të buxhetit për të adresuar nevojat më urgjente të vendit tonë për tu ballafaquar me krizën për të ruajtur qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik dhe këtu janë dy prioritete e para është të ruajmë stabilitetin makroekonomik dhe e dyta të luftojmë krizën e inflacionit dhe atë energjetike për të ballafaquar dhe lehtësuar pasojat por edhe njëherit për të krijuar një bazë të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik.”, tha ministri i financave, Fatmir Besimi.
Por nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar se vendi po shkon drejt një recesioni dhe varfërisë ekstreme që sipas tyre dëshmon se vendi ka falimentuar.
“Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë se Maqedonia është e falimentuar, e shkatërruar ekonomikisht dhe e grabitur. Një vend që po shkon me shpejtësi drejt recesionit dhe varfërisë ekstreme. Kemi inflacionin më të lartë historikisht prej 14.5 për qind, borxhin publik historikisht më të lartë, shpërthimin e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, çmime treshifrore të karburanteve, energjinë elektrike që po rritet prej gjashtë muajsh.”, tha Bojan Stojanovski ngaVMRO-DPMNE.
Për ASH-në qeveria vazhdimisht po dështon në parashikimet e saj fillestare gjatë planifikimeve buxhetore duke i dhënë kështu përparësi dimensionit politik.
“Në fillim inflacioni ishte 2.4%, tash thuhet që është planifikimi 7.2%, në këtë moment që po flasim inflacioni është 14.5%, në shtatorë dhe tetorë, çdo njëri edhe ekspertët thonë se inflacioni çmimet do të rriten ndërsa qeveria thotë se inflacioni do të përfundon me 7.4%.Jam I bindur që këtij vendi do ti duhet edhe një rishikim buxhetor pikërisht për shkak tëpaqëndrueshmërisë së të dhënave të cilat janë në buxhet.”, tha Elmi Aziri nga ASH.
Me rishikimin e buxhetit të hyrat janë paraparë 245,8 miliardë denarë dhe janë rreth 6,9 miliardë denarë më të larta se parashikimet fillestare, ndërsa shpenzimet në nivel prej 288,5 miliardë denarë ose rreth 16 miliardë denarë më shumë në raport me projeksionet fillestare për vitin 2022. Gjatë shqyrtimit të amendamenteve në Komisionin për Financa dhe Buxhet janë inkorporuar amendamente, me të cilat janë siguruar 25 milionë denarë shtesë për shëndetësinë, mjedisin dhe infrastrukturën.
NAIM RAMADANI
