Luftimet në Ukrainë, dhjetra të vrarë dhe të plagosur në ChasivYar

11.07.2022 17:33

Të paktën 20 persona u vranë e 35 të tjerë gjenden nën rrënoja....

Të paktën 20 persona u vranë e 35 të tjerë gjenden nën rrënoja, pas sulmeve me raketa nga forcat ruse mbi një bllok apartamentesh në qytetin lindor të Ukrainës, Chasiv Yar.

Pesë persona u nxorën nga rrënojat para se të vdisnin. Njëra anë e ndërtesës pesëkatëshe u shkatërrua tërësisht, e tjetra mbeti e përgjysmuar, tha guvernatori rajonal Pavlo Kyrylenko, duke theksuar se po punojnë në tërheqjen e

 “Goditja është kryer me katër raketa të tipit Uragan. Tani specialistët janë ende duke punuar. Nën rrënojat janë të paktën 35 persona, me dy prej tyre vendosëm një kontakt audio, domethënë po flasin dhe japin ndihmë psikologjike. Mund të ketë edhe fëmijë nën rrënoja” – tha Oleh Kyrnytskyi, përfaqësues i Policisë.

“Dy ndërtesa janë shembur pjesërisht dhe tashmë po heqim rrënojat dhe po kërkojmë të lënduarit” – u shpreh Vyatcheslav Koltsovytch nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave.

“Isha në dhomën e gjumit dhe kur po largohesha, filloi të gjëmonte dhe të kërciste, e vetmja gjë që më shpëtoi ishte kur vrapova këtu sepse menjëherë më pas e gjithë kjo u rrëzua” – tha një banore.

“Ne vrapuam në bodrum, ishin tri gjuajtje, e para diku ndodhi në kuzhinë. E dyta, as që më kujtohet. Ra një shpërthim, vrapuam drejt hyrjes së dytë dhe pastaj drejt bodrumit. Ne u ulëm atje gjatë natës deri në mëngjes” – deklaroi e mbijetuara, Miceva Meshkanka.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se Rusia kishte kryer 34 sulme ajrore në Donjeck.

“Një sulm me raketa në rajonin e Donetskut. Të gjithë ata që japin urdhra për bastisje të tilla, të gjithë ata që i kryejnë duke synuar qytetet tona, zonat e banuara, vrasin në mënyrë absolutisht të qëllimshme. Pas sulmeve të tilla, ata do të mund të thonë se nuk e dinë. Ndëshkimi është i pashmangshëm për çdo vrasës rus” – theksoi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Ndërkohë Moska mohon të ketë shënjestruar civilët, duke theksuar se objektiv i vetëm janë bazat ushtarake.

“Forcat ushtarake të federatës ruse shkatërruan një lokacion në ChasivYar ku po ruheshin avionët amerikanë M777” – u shpreh Zëdhënësi rus i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konoshenko.

Chasiv Yari, qytet me rreth 12 mijë banorë, gjendet në afërsi të qytetit Kramatorsk, në rajonin e Donetskut.  Seri sulmesh ka patur edhe në qytetet Mykolaiv dhe Kharkiv.

Janë 317 qytetarë në spitalet e Mykolaiv-it, të cilët u plagosën nga sulmet e pushtuesve rus në këtë rajon njofton Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.

Qyteti i Mykolaiv është nën bombardimin e vazhdueshëm të forcave ruse, pasi Ukraina po ushtron presion për rikthimin e rajonit të pushtuar të Khersonit dhe sipas Rusisë, kjo është  kundërsulm i kësaj përpjekje. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)