Maqedoni
Kuvendi gati konkluzat për propozimin francez, s’ka ndryshime në kornizën e negociatave
12.07.2022 14:11
Shërbimet parlamentare kanë përgatitur projekt-konkluzionet për informimin e qeverisë për propozimin francez....

Shërbimet parlamentare kanë përgatitur projekt-konkluzionet për informimin e qeverisë për propozimin francez. Nëse merr dritë jeshile në Kuvend, informacioni i përcillet qeverisë duke përcaktuar kështu qartë veprimet e mëtejshme të ekzekutivit, që në asnjë rrethanë nuk do të ketë të drejtë të ndryshojë kornizën e negociatave.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të veprojë në përputhje të plotë me përcaktimin strategjik të vendit për integrim dhe anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian dhe të pranojë kornizën e ofruar negociuese me Bashkimin Evropian, me përjashtim të elementeve bilaterale historike dhe arsimore, me respekt e mbrojtje të plotë dhe të pakushtëzuar të gjuhës, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas gjatë gjithë procesit të negociatave me BE-në, si vlera shtetërore dhe themelore që askush nuk mund t'i negociojë në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë.”.
Gjithashtu, ekipi negociator do të marrë përsipër që negociatat me BE-në t'i zhvillojë në baza të barabarta dhe parimore, duke respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare dhe me respekt të parezervë për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas, sipas Rezolutës së miratuar në Kuvend më 29 korrik 2021, me përfaqësim dhe respekt të plotë dhe të vazhdueshëm për qëndrimet e pranuara në mënyrë konsensuale për veçantitë e popullit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe veçorinë kombëtare, kulturore, historike dhe shpirtërore maqedonase. Sipas konkluzioneve, Qeveria duhet të obligojë Ministrinë e Punëve të Jashtme që ta informojë kryesimin aktual çek të Këshillit të BE-së se korniza e negociatave është pranuar. Afati i fundit për të përfunduar të gjithë procedurën është data 22 korrik, kur nisin pushimet verore të Komisionit Europian.
Seanca në Kuvend do të caktohet në ditët në vijim, ndërsa diskutimi do të zgjasë maksimumi tri ditë. Duket se maxhoranca i ka të siguruara tashmë votat pro të 70 deputetëve të LSDM-së, BDI-së, PDSH-së, Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët por ende nuk është e qartë se si do të votojnë partnerët më të vegjël të koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike DOM dhe LDP.
MERITA GASHI
